Pavarësisht njoftimit zyrtar se problematika e ditëve të fundit me Platformën Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara është zgjidhur dhe se sistemi është rikthyer në funksionim normal, një numër i konsiderueshëm biznesesh kanë kontaktuar ekofin.al, duke ngritur shqetësimin se në praktikë situata vijon të jetë problematike.
Sipas tyre, platforma SelfCare ose nuk funksionon fare, ose është e aksesueshme vetëm në mënyrë të pjesshme dhe me ndërprerje, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të aktivitetit. Ky problem, sipas bizneseve, po shfaqet pikërisht në një moment kritik: ditët e fundit të muajit, kur presioni për lëshimin e faturave, mbylljen e shitjeve dhe kryerjen e rakordimeve përkatëse është maksimal.
Bizneset theksojnë se funksionimi “me faza” i sistemit nuk përbën zgjidhje reale, pasi proceset fiskale kërkojnë akses të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm, sidomos në fundmuaj, kur volumi i faturimit rritet ndjeshëm. Çdo vonesë apo bllokim, sipas tyre, i ekspozon ndaj rrezikut të mosrespektimit të afateve ligjore dhe potencialisht edhe ndaj penaliteteve, pavarësisht se shkaku nuk lidhet me përgjegjësinë e tyre.
Ky shqetësim vjen menjëherë pas njoftimit se rreth 139 mijë tatimpagues që përdorin software për lëshimin e faturave duhet të vijojnë normalisht aktivitetin edhe kur faturat nuk pajisen menjëherë me kodin unik (NIVF), ndërsa pas rikthimit të plotë të platformës janë të detyruar të fiskalizojnë faturat e pafiskalizuara. Po ashtu, për tatimpaguesit pa software fiskalizimi u përmend si alternativë përdorimi i bllokut të veçantë të faturave.
Megjithatë, nga terreni, bizneset ngrenë pikëpyetje mbi zbatueshmërinë reale të këtyre zgjidhjeve në kushte presioni kohor dhe paqartësie teknike, duke theksuar se mungesa e një funksionimi të qëndrueshëm të sistemit po kthehet në një problem të përsëritur, jo episodik.
Në këtë kontekst, sipërmarrësit kërkojnë jo vetëm deklarata zyrtare, por garanci konkrete për funksionimin e pandërprerë të platformave digjitale fiskale, si dhe fleksibilitet real në trajtimin e rasteve kur vonesat shkaktohen nga probleme teknike jashtë kontrollit të tyre. Përndryshe, paralajmërojnë se barra e pasigurisë digjitale po bie sërish mbi biznesin, në një moment kur aktiviteti ekonomik kërkon më shumë stabilitet dhe jo pasiguri shtesë. /ekofin.al
