Nga Jonida Lakuriqi *
Duket pothuajse ironike: Shqipëria miratoi Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike (EECC) vetëm një vit më parë, për të parë më pas Europën të ecë përpara me Aktin për Rrjetet Digjitale (Digital Networks Act – DNA), i cili e zëvendëson atë. DNA, i shpallur më 22 janar 2026, e përcakton rrjetin digjital si infrastrukturë kritike, thelbësore për rritjen ekonomike, sigurinë kombëtare dhe konkurrueshmërinë rajonale. Duke zëvendësuar EECC-në, ky akt modernizon kornizën rregullatore dhe hap rrugën drejt një Tregu Unik Digjital realisht të integruar.
Megjithatë, për ne kjo nuk nuk duhet të perceptohet si një hap prapa. Përkundrazi, në kuadër të rrugëtimit drejt integrimit evropian, përfshirë negociatat për kapitujt e telekomunikacionit, Shqipëria ka një mundësi të rrallë: të nisë në të njëjtën vijë starti me vendet anëtare të BE-së, duke harmonizuar politikat e saj që në fillim me mendimin më të avancuar evropian.
DNA prezanton konceptin e “Pasaportës së Vetme” për operatorët, duke thjeshtuar menaxhimin e spektrit të frekuencave, mbështetur përhapjen e rrjeteve me fibër optike dhe 5G, si dhe forcon dimensionin e sigurisë sl rrjeteve ku mbështeten shërbimet, me synimin për të rritur konkurrueshmërinë e sektorit.Ai modernizon rregullimin dhe hedh themelet për një Treg Unik Digjital të integruar në mënyrë autentike. Për Shqipërinë, nuk bëhet fjalë thjesht për një politikë evropiane, por për një model orientues të qeverisjes strategjike digjitale.
Fragmentimi i Tregut që minoi Investimet
Për dekada me radhë, Evropa i dha përparësi çmimeve të ulëta për konsumatorët në dëm të investimeve afatgjata në rrjete. Rezultati ishte i parashikueshëm: konsumatorët përfituan, por fibra optike dhe 5G mbetën pas Shteteve të Bashkuara dhe Azisë. Afatet e shkurtra të licencave të spektrit, rregullat kombëtare të fragmentuara dhe mbikëqyrja e rënduar rregullatore e bënë investimin kapital të pasigurt. Evropa u bë digjitalisht efikase, por strategjikisht e brishtë.
DNA përfaqëson një përpjekje për të korrigjuar këtë realitet. Procedurat e thjeshtuara të autorizimit, afatet e parashikueshme të spektrit dhe një plan i qartë për zëvendësimin e rrjeteve të bakrit me fibër synojnë t’u japin operatorëve sigurinë e nevojshme për të investuar në shkallë. Siç thekson edhe Drejtori për Çështjet e Jashtme dhe të Korporatës i Vodafone Group, Joakim Reiter, rrjetet nuk mund të trajtohen si mallra tregtare; ato duhet të menaxhohen si infrastrukturë strategjike.
Ky akt nuk është i përsosur. Ai përfshin ende qindra faqe, mbart kompleksitet teknik dhe do të kërkojë interpretim dhe zbatim të kujdesshëm. Megjithatë, edhe në formën e tij aktuale, ai përfaqëson hapin e parë serioz të Evropës drejt një kornize digjitale koherente dhe miqësore ndaj investimeve.
Lidhja Digjitale si Infrastrukturë Ekonomike dhe e Sigurisë
Rrjetet digjitale janë baza mbi të cilën ndërtohen inteligjenca artificiale, industria e zgjuar, logjistika, shëndetësia, energjia dhe shërbimet publike. Rrjetet e dobëta frenojnë produktivitetin; rrjetet e forta e shumëfishojnë atë. Rreziqet kibernetike dhe tensionet gjeopolitike e kanë bërë qëndrueshmërinë të panegociueshme. Një rregullim që nxit investimet nuk është më opsion, është domosdoshmëri strategjike.
Shqipëria Përballet me Sfidat e Njohura
Shqipëria pasqyron sfidat e vjetra evropiane. Penetrimi celular tejkalon popullsinë, mbulimi 4G është pothuajse universal dhe shtrirja e 5G ka nisur pas ndarjes së spektrit në brezin 3.5 GHz. Telekomunikacionet gjenerojnë rreth 400 milionë euro në vit, duke e bërë sektorin një nga më kapital-intensivët në ekonomi.
Megjithatë, tregu është i vogël, kostot e shtrirjes janë të larta dhe konkurrenca është e përqendruar. Investimi kërkon qartësi dhe stabilitet, pikërisht çështjet që DNA synon të adresojë në Evropë.
Një Pikë Referimi Strategjike
Për rregullatorët shqiptarë, DNA përbën një pikë referimi politike, jo një rregullore detyruese. Siguria afatgjatë e spektrit, autorizimet e thjeshtuara dhe një plan i qartë për modernizimin e rrjeteve ekzistuese do të forconin besimin e investitorëve dhe do të përshpejtonin shtrirjen e rrjeteve të gjeneratës së ardhshme, veçanërisht jashtë qendrave urbane. Harmonizimi me parimet e BE-së përforcon gjithashtu integrimin rajonal të Shqipërisë. Në një epokë shërbimesh digjitale ndërkufitare, divergjenca rregullatore shndërrohet në disavantazh konkurrues.
Akti për Rrjetet Digjitale është më shumë se legjislacion. Ai është një sinjal prioritetesh: Evropa nuk do të lejojë më që rregullat e fragmentuara dhe mendësia afatshkurtër të ngadalësojnë rritjen digjitale. Ai nuk është i përsosur, por përbën një hap të parë serioz.
Shqipëria përballet me të njëjtën zgjedhje: t’i trajtojë rrjetet si qendra kostoje apo si platforma për rritje, qëndrueshmëri dhe sovranitet. Rruga që zgjidhet sot do të përcaktojë të ardhmen digjitale dhe ekonomike të vendit për dekada.
Evropa e bëri zgjedhjen e saj. Shqipëria nuk mund të presë.
* Jonida Lakuriqi është Drejtoreshë e Departamentit Ligjor, Politikave Publike dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Vodafone Albania.
