Shqipëria vijon të dallohet në nivel europian për profilin e saj energjetik të bazuar te burimet e rinovueshme, veçanërisht në prodhimin e energjisë elektrike.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2024, Shqipëria, ashtu si Islanda dhe Norvegjia, prodhoi më shumë energji elektrike nga burime të rinovueshme sesa konsumi i saj total, duke rezultuar me një peshë mbi 100% të energjisë së rinovueshme në konsumin final të energjisë elektrike.
Në rastin e Shqipërisë, ky rezultat lidhet kryesisht me dominimin e hidroenergjisë dhe me efektin e normalizimit hidrologjik, i cili e çon treguesin statistikor mbi 100%. Ky pozicion e vendos vendin përpara shumicës së vendeve të Bashkimit Europian, ku vetëm Austria (90.1%), Suedia (88.1%) dhe Danimarka (79.7%) kalojnë pragun e 75% të energjisë elektrike të konsumuar nga burime të rinovueshme, ndërsa shumë ekonomi të tjera të BE-së mbeten nën nivelin 25%, si Malta me 10.7% dhe Çekia me 17.9%.
Megjithatë, kontrasti bëhet i dukshëm kur fokusi zhvendoset te përdorimi i energjisë së rinovueshme në transport, një nga sektorët më problematikë për tranzicionin energjetik. Në vitin 2024, pesha mesatare e energjisë së rinovueshme në transport në nivel të Bashkimit Evropian arriti në 11.2%, me një rritje prej vetëm 0.2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2023, ndërsa në vitin 2004 kjo peshë ishte vetëm 1.4%. Ky nivel mbetet 17.8 pikë përqindje nën objektivin e detyrueshëm prej 29% për vitin 2030. Suedia kryesoi vendet e BE-së me 26.4%, e ndjekur nga Finlanda me rreth 20.2–20.3% dhe Holanda me 19.7%, ndërkohë që në fund të renditjes u pozicionuan Kroacia me 0.9%, Greqia me 3.9% dhe Çekia me 5.7%. Ndër vendet që shënuan rritje nga viti 2023 në 2024, Letonia spikati me +7.4 pikë përqindje dhe Holanda me +6.2 pikë përqindje, ndërsa Suedia, pasi kishte tejkaluar objektivin në 2023 me 33.6%, regjistroi rënien më të fortë në 2024 me -7.2 pikë përqindje.
Për Shqipërinë dhe vendet kandidate apo potencialisht kandidate për në BE, përdorimi i energjisë së rinovueshme në transport mbetet në nivele shumë të ulëta, nga zero deri rreth 1%, duke reflektuar disa arsye strukturore.
Së pari, transporti mbështetet ende gjerësisht në karburantet fosile, me një flotë automjetesh të vjetra dhe me penetrim shumë të kufizuar të automjeteve elektrike apo hibride.
Së dyti, infrastruktura për karburante alternative, si pikat e karikimit elektrik, biomethani apo hidrogjeni, është ende në fazë embrionale.
Së treti, politikat fiskale dhe skemat stimuluese për tranzicionin e transportit janë më pak të zhvilluara krahasuar me vendet e BE-së, duke e bërë më të ngadaltë kalimin drejt “green electricity”, biokarburanteve të avancuara dhe zgjidhjeve të tjera me intensitet më të ulët të gazeve serrë.
Në të njëjtën kohë, përvoja e Shqipërisë në prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme tregon se ekziston potencial i madh për të transferuar këtë avantazh edhe në sektorin e transportit, përmes elektrifikimit të tij. Nëse energjia elektrike e prodhuar kryesisht nga burime të rinovueshme do të përdorej më gjerësisht për mobilitetin, vendi do të mund të reduktonte ndjeshëm varësinë nga importi i karburanteve, emetimet e CO₂ dhe koston afatgjatë të energjisë. Në këtë kontekst, zhvillimet në BE, ku energjia e rinovueshme në konsumin final bruto arriti 25.2% në 2024 nga 9.6% në 2004 dhe ku objektivi për vitin 2030 është rritur në 42.5% me synim 45%, përbëjnë një referencë të qartë edhe për Shqipërinë.
Sfida kryesore mbetet shndërrimi i suksesit në prodhim të energjisë së pastër në përdorim të drejtpërdrejtë në transport, sektorin më të vështirë, por edhe më vendimtar për tranzicionin energjetik dhe klimatik. /ekofin.al

