ChatGPT do të vlerësojë nëse një përdorues është nën moshën 18 vjeç, bazuar në faktorë si sa kohë ka ekzistuar llogaria, oraret kur është aktiv dhe temat për të cilat pyet. Inteligjenca artificiale (AI) e OpenAI, ChatGPT, do të parashikojë moshën e përdoruesve për t’u ofruar adoleshentëve një përvojë më të sigurt në internet, në një kohë kur po rritet vëmendja ndaj mënyrës se si kompanitë teknologjike mbrojnë të miturit online.
Sistemi i ri i parashikimit të moshës do të përdorë informacion nga llogaria e përdoruesit për të vlerësuar nëse ai është nën 18 vjeç, përfshirë kohëzgjatjen e ekzistencës së llogarisë, orët e hyrjes dhe mënyrën e përdorimit të aplikacionit. Kur ChatGPT identifikon një përdorues nën 18 vjeç, aktivizohen menjëherë masa shtesë mbrojtëse kundër përmbajtjeve grafike, të dhunshme, vetëdëmtuese dhe seksuale. Po ashtu, do të kufizohen sfidat virale në rrjetet sociale që nxisin “sjellje të rrezikshme ose të dëmshme” për të miturit.
OpenAI thekson se kjo qasje është “e udhëhequr nga kontributi i ekspertëve dhe e mbështetur në literaturën akademike mbi shkencën e zhvillimit të fëmijëve”. Llogaritë e identifikuara si të përdoruesve nën 18 vjeç do të mund të vazhdojnë të përdorin ChatGPT për të mësuar, krijuar dhe për të bërë pyetje.
Ky përditësim vjen në një kohë kur qeveritë e Bashkimit Evropian po diskutojnë kufizime për llogaritë në rrjetet sociale për përdoruesit nën 16 vjeç, pas një ndalimi të miratuar në Australi në dhjetor. ChatGPT nuk konsiderohet platformë e rrjeteve sociale sipas kufizimeve të Australisë.
OpenAI dhe drejtori i saj ekzekutiv, Sam Altman, janë paditur në Kaliforni nga prindërit e një 16-vjeçari, lidhur me pretendime për ndërveprime të papërshtatshme të platformës. Më herët, OpenAI kishte prezantuar kontrolle prindërore në ChatGPT, që u lejojnë prindërve të vendosin “orare qetësie” kur AI nuk mund të përdoret dhe të marrin njoftime nëse adoleshenti shfaq shenja shqetësimi në mesazhet me chatbot-in.
Çdo përdorues që identifikohet gabimisht si nën 18 vjeç në sistemin e ri do të ketë mundësinë të verifikojë moshën përmes një selfie në kohë reale ose duke ngarkuar një dokument zyrtar identifikimi, për të hequr kufizimet./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
