Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka prezantoi sot paketën prej 12 nismash ligjore, të cilat i ka në shqyrtim Kuvendi i Shqipërisë.
“Këto nisma lidhen me forcimin e shtetit të së drejtës, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe krimit të organizuar, zbatimin më të mirë të reformës në drejtësi dhe në fund dhe jo për nga rëndësia, mbrojtjen nga diskriminimi, mbështetjen për familjen, gratë, për të miturit etj., ndryshe, të drejtat e njeriut dhe drejtësia shoqërore. Duke provuar që vendi e ka vullnetin social politik dhe aftësinë institucionale për t’i mbrojtur shtetasit e vet, për t’i ofruar shërbime më të mira të standardit europian gjithnjë e më të krahasueshme me ato të qytetarëve të një vendi anëtar të BE-së”, theksoi Dhuka, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Adea Pirdenin, ministre Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Toni Gogun, ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Sipas saj, kjo paketë prej 12 nismash ligjore të rëndësishme ka në përmbajtjen e saj 6 projektligje, të cilat i janë propozuar Kuvendit nga Këshilli i Ministrave dhe 6 projektligje të cilat janë iniciuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Kryenegociatorja Dhuka vuri në dukje se “e veçanta e kësaj pakete është se ajo garanton progres në lidhje me standardin europian dhe praktikën më të mirë të vendeve anëtare në 3 grupe çështjesh të rëndësishme. Së pari, në luftën krimit dhe krimit të organizuar; së dyti, në lidhje me barazinë dhe drejtësinë sociale, mbrojtjen e familjes, të nënës dhe të të miturve; së treti, në masat për parandalimin e korrupsionit”.
Më tej Dhuka u shpreh se “së bashku me dy kolegët e mi ne do t’i prezantojmë më me hollësi këto nisma të rëndësishme të transformimit europian. Kjo paketë në zemrën e saj ka një numër përafrimesh me ligjin europian të ligjit shqiptar, duke filluar nga shtatë direktiva në ndryshimet e Kodit Penal, në dy direktiva në projektligjin “Për mbrojtjen nga dhuna”, apo në rregulloren e përafruar plotësisht në projektligjin “Për importin dhe eksportin e armëve”, që garanton parandalimin e trafikut të armëve në Shqipëri”.
“Kjo paketë sjell një numër risish. Për herë të parë përmes kësaj pakete Shqipëria do të dekriminalizojë plotësisht veprën penale të shpifjes ndaj gazetarëve, duke rritur mbrojtjen ndaj gazetarëve në misionin e tyre të rëndësishëm për fjalën e lirë dhe për lirinë e shprehjes në Shqipëri, duke u garantuar në të njëjtën kohë një mbrojtje të re nga kanosja për shkak të detyrës”, tha Dhuka.
“Një numër vendesh të BE e kanë ende të kriminalizuar shpifjen, përfshirë edhe gazetarët për shkak se ekzistojnë edhe sfida të mëdha në lidhje me dezinformimin për shkak të epokës digjitale në të cilën jetojmë. Por Shqipëria mendon se realizimi i këtij ndryshimi është një investim i rëndësishëm në demokraci dhe lirinë e shprehjes dhe në forcimin e rolit të madh që kanë gazetarët në këtë drejtim”, theksoi Dhuka.
Kryenegociatorja Dhuka u shpreh se “një risi tjetër e rëndësishme është që pas shumë vitesh Shqipëria më në fund do të ketë një ligj që rregullon aktivitetin e lobimit, për të rregulluar me kujdes ndërhyrjet në vendimmarrjen publike”.
Sipas saj, pas 31 vitesh, Shqipëria do të ketë një ligj të ri për donacionet dhe sponsorizimin.
“Ligji ekzistues për sponsorizimin është i vitit 1994. Me ligjin e ri afrojmë praktikën pranë praktikës dhe standardit europian. Njëherësh do të krijohet një regjistër për lobimin, ku gazetarët, qytetarët, të interesuarit kanë informacion dhe njëkohësisht një regjistër për sponsorizimin dhe donacionet si përpjekje e jona për të rritur dimensionet e nismës “Shqipëria transparente” – që ministrja për antikorrupsionin e ka prezantuar edhe më herët – dhe për të treguar se nisma është e gjallë dhe përmirësime të vazhduara i bëhen përpjekjes sonë për transparencë”, tha Dhuka.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, prezantoi sot paketën me pesë nisma ligjore që synojnë forcimin e parandalimit të korrupsionit në institucionet publike dhe përtej tyre.
Sipas Pirdenit, nismat janë hartuar në bashkëpunim me partnerët evropianë dhe janë pjesë e një procesi konsultimi.
“Është një paketë prej pesë ligjesh që synon forcimin e kulturës së integritetit në administratën publike dhe jo vetëm në administratën publike, por përtej të gjithë institucioneve me natyre publike”, tha ajo.
Sipas Pirdenit, fokusi kryesor është te forcimi i parandalimit të korrupsionit, përtej ndëshkimit të korrupsionit.
“Fokusi kryesor në këto pesë nisma ligjore është vendosja e disa themeleve të standardeve evropiane në legjislacionin shqiptar dhe në praktikën administrative shqiptare për të mundësuar që korrupsioni mos të ndodhë në praktikë. Nismat kanë qenë të konsultuar me partnerët tanë evropianë, janë një pjesë e tyre në proces konsultimi me të gjithë aktorët e shoqërisë civile. Këto pesë nisma, tri prej tyre janë iniciuar nga qeveria dhe dy janë nisma deputetësh”, tha Pirdeni.
Ligji i parë, i cili edhe është miratuar, është ai për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, i cili sipas ministres garanton mbrojtje ligjore për punonjësit e sektorit publik dhe privat që raportojnë shkelje. Sipas Pirdenit, masat janë linjëzuar me legjislacionin e BE-së.
“Ky ligj i jep mundësi çdo të punësuari që të raportojë çdo shkelje ligjore. Gjithashtu ky ligj parashikon mbrojtje të mirëfilltë ligjore nuk do të kenë vetëm sinjalizuesit, por edhe familjarët e tyre të afërm si dhe ortakët e tyre të biznesit. Gjithashtu parashikohen sanksione më të fuqizuara, për të garantuar se çdo lloj mase me natyrë ose formë hakmarrëse ndaj çdo personi që tenton të raportojë një rast korrupsioni të adresohet në mënyrën e duhur ligjore”, tha Pirdeni.
Një tjetër projektligj, tha Pirdeni është ai për lobimin, i cili synon transparencë të plotë mbi kontaktet mes lobistëve dhe zyrtarëve publikë.
“Përveç këtij ligji ne për herë të parë kemi një legjislacion për lobimin. Qëllimi i këtij projektligji është pikërisht të garantohet së pari, një transparencë e plotë mbi kontaktet midis lobistëve profesionalë nga njëra anë, dhe zyrtarëve publikë nga ana tjetër. Për herë të parë parashikohet krijimi i një regjistri lobimi. Ne do të nisim shumë shpejt, brenda kësaj jave, diskutimet në komisionet parlamentare për këtë ligj dhe do të kemi mundësi që ky ligj të miratohet brenda këtij muaji”, tha ajo.
Paketa përfshin gjithashtu edhe projektligjin për sponsorizimet dhe donacionet, i cili sipas ministres rregullon mënyrën dhe transparencën e dhënies së tyre.
“Krahas këtij projektligji një tjetër projektligj i rëndësishëm është projektligji për sponsorizimet dhe donacionet. Ligj i cili për herë të parë rregullon mënyrën dhe transparencën e dhënies së donacioneve. Adreson gjithashtu në mënyrë tërësore çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin tërësor të sposorizimeve si një aktivitet që synon të përforcojë, iniciativa me interes publik në fushën e mbrojtjes sociale, në fushën e drejtësisë sociale, në fushën e artit, kulturës, synon të mbështesë veprimtaritë me interes publik në fushën e transformimit digjital. Ky ligj parashikon që do të ketë një regjistër publik transparent të çdo sponsorizim dhe donacioni që bëhet ndaj institucioneve publike. Është një konsultim publik”, tha Pirdeni.
Dy nismat e tjera të cilat lidhen drejtpërdrejt me parandalimin e korrupsionit, shtoi Pirdeni janë në proces shqyrtimi duke filluar nga ligji për parandalimin e konfliktit të interesit.
Synimi kryesor i këtij projektligji sipas Pirdenit është që të garantojë dhe forcojë mekanizmat e parandalimit të konfliktit duke përcaktuar shumë qartë detyrimet që kanë subjektet deklaruese të pasurisë dhe subjektet jodeklaruese të pasurisë.
“Gjithashtu synon që të parashikojë shprehimisht ndalimin e pranimit të dhuratave, të pranimit të çdo lloj forme të përfitimit financiar. Të garantojë dhe të shmangë çdo lloj forme tjetër të ndërhyrjes në një proces vendimmarrës, ose në çfarëdo lloj procesi administrativ apo procedural, që një zyrtar publik mund të përfshihet gjatë detyrës së tij apo të saj”, tha ministrja.
Ndërkohë, projektligji për financimin e partive politike vjen në përgjigje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Pirdeni tha se projektligji po diskutohet në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe ftoi palët politike ta përqafojnë këtë nismë.
“Nisma tjetër është diskutuar në komisione dhe prek në thelb një nga çështjet kryesore të ngritura nga OSBE-ODIHR, siç është financimi i partive politike. Ky ligj vjen në përgjigje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR sa i përket transparencës përpara dhe pas procesit zgjedhor, sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me mënyrën sesi mundet që procesi i financimit dhe transparencës mbi financimin e partive politike si një komponent shumë i rëndësishëm antikorrupsion të trupëzohet si pjesë e legjislacionit kombëtar në fushën e zgjedhjeve në Republikën e Shqipërisë dhe në fushën e funksionimit të partive politike në tërësinë e tyre. Kjo nismë është në proces diskutimi dhe shpresojmë që forcat politike ta përqafojnë këtë nismë”, tha ajo.
Pirdeni u shpreh se “të gjitha këto nisma vijnë në një mjedis që e gjen Shqipërinë shumë më të përgatitur se më parë për të parandaluar korrupsionin”.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, njoftoi sot se një prej nismave ligjore që do të diskutohet në Kuvend, në kuadër të procesit reformues për integrimin në Bashkimin Europian, është ligji për median.
Sipas ministrit Gogu, ndryshimet përfshijnë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, duke forcuar dhe mbrojtur rolin e tyre në shoqëri, si dhe garantimin e transparencës mbi pronësinë së platformave televizive.
Deklaratën Gogu e bëri gjatë një konference për median, të zhvilluar në Kryeministri, me fokus “fazën e re të negociatave me Bashkimin Europian dhe angazhimin politik për t’ia dalë mbanë”.
Në konferencë ishin të pranishme edhe Majlinda Dhuka, ministre Shteti dhe Kryenegociatore, si dhe Adea Pirdeni, ministre Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Gogu bëri me dije se “një pjesë e rëndësishme e nismave ligjore lidhet me median dhe rolin e saj në shoqëri. Ligji për përmirësimin e medias audiovizive ka në fokus transparencën e platformave televizive, ku publiku ka të drejtë të dijë pronësinë dhe aktorët që qëndrojnë pas medieve. Vitin e kaluar kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për luftën ndaj dezinformimit”.
Ai shtoi se “një tjetër element i rëndësishëm lidhet me mbrojtjen e gazetarëve në rolin e tyre jetik për demokracinë. Dekriminalizimi i shpifjes do të garantojë që gazetarët të jenë të çliruar nga barra e shpifjes, kur veprojnë në mirëbesim dhe përpiqen të pasqyrojnë zhvillimet e fundit. Kjo është një nga gurët themelorë të paketës ligjore, që më pas përkthehet në standardet europiane të BE-së në jetën e përditshme”.
Një tjetër paketë ligjore është ajo që lidhet me mbrojtjen e familjes.
“Familjet shqiptare janë duke u përplasur me përbindëshin e dhunës, prandaj janë propozuar ndryshime ligjore për forcimin e mbrojtjes së familjes nga dhuna, zonjave, por dhe më të dobtëve, pasi nga dhuna preken edhe të miturit, prandaj fuqizojmë mekanizmin koordinues dhe mekanizmin reagues të ndërhyrjes”, tha Gogu.
“Ndryshimet e tjera kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit, me luftën ndaj krimit, që kanë të bëjmë me ato propozime që bëhen në Kodin Penal, edhe janë disa projektligje që forcojnë luftën ndaj narkotikëve, që janë pjesë e paketës. Më pas do të ketë dhe ndryshime në ligjin për rolin e komisioneve hetimore etj.”, tha Gogu.
