Çdo janar, Amsterdami feston Ditën Kombëtare të Tulipanëve, duke hapur zyrtarisht sezonin e tulipanëve. Kultivuesit e tulipanëve në Holandë i ftojnë të gjithë të mbledhin një tufë tulipanësh falas në një kopsht të posaçëm për mbledhje. Dita Kombëtare e Tulipanëve do të rikthehet në qytet për herë të 13-të në vitin 2026, të shtunën, më 17 janar, duke nisur nga ora 13:00. Kultivuesit holandezë të tulipanëve dhe dhjetëra mijëra vizitorë sigurojnë një fillim plot ngjyra të sezonit të ri.

Dita Kombëtare e Tulipanëve 2026 – Një event për të nisur sezonin e tulipanëve në Holandë
Të gjithë bien dakord se tulipani është jashtëzakonisht unik në botën e luleve dhe shumë njerëz në mbarë botën e kanë shpallur atë si lulen e tyre të preferuar. Është lulja që “vallëzon”. Asnjë produkt tjetër florikulture nuk ndryshon kaq shumë në vazo sa tulipani. I sheh teksa rriten, lulëzojnë dhe vallëzojnë njëkohësisht. Mund të thuhet pa hezitim se me tulipanët, ka festë në shtëpi çdo ditë.
Nëse do të jeni në Amsterdam të shtunën e tretë të janarit, atëherë do ta nisni vitin në mënyrë të shkëlqyer. Gjatë Ditës Kombëtare të Tulipanëve, në Museumplein do të organizohet një festë e madhe e tulipanëve, e hapur për të gjithë. Së bashku me vullnetarë dhe dhjetëra mijëra vizitorë, kjo festë garanton një fillim shumëngjyrësh të sezonit të tulipanëve.

Edhe pse zakonisht në janar nuk ka tulipanë të çelur për t’u shijuar, në këtë ditë njerëzit në Amsterdam duan të inaugurojnë veçantinë e sezonit të kësaj luleje duke u mbledhur të gjithë dhe duke e festuar atë në të gjitha format, madhësitë dhe ngjyrat e saj. Nga ajo ditë e tutje, tulipanët promovohen në qindra dyqane lulesh në të gjithë Amsterdam-in dhe qytete të tjera holandeze.
Nëse po planifikoni një vizitë në këtë periudhë, mbani mend se vizitorët lejohen të marrin maksimumi 10 tulipanë falas në një kopsht të posaçëm për mbledhje, ku do të ketë rreth 200.000 tulipanë. Po, një event që nuk duhet humbur!

Tema ‘United in Bloom!’ për vitin 2026
Tema e Ditës Kombëtare të Tulipanëve në Amsterdam, më 17 janar 2026, është ‘United in Bloom!’, e cila fokusohet te mënyra se si tulipanët lidhin njerëzit dhe ngjallin emocione të përbashkëta. Në Museumplein do të ngrihet një kopsht i madh falas për mbledhjen e tulipanëve, duke hapur zyrtarisht sezonin holandez të tulipanëve.

Pak histori mbi tulipanët
Tulipanët janë bimë pranverore me bulba, që lulëzojnë dhe i përkasin familjes së zambakëve. Emri i tyre vjen nga fjala persiane për “çallmë”. Ata kanë ngjyra të ndritshme, forma si kupë dhe janë jashtëzakonisht simetrikë. A e dini se tulipanët nuk e kanë origjinën në Holandë, pavarësisht dashurisë dhe respektit të vendit për këtë lule? Origjina e tyre është në vargmalet Tian Shan të Azisë Qendrore dhe fillimisht ishin bimë të rralla që tërhoqën vëmendjen e gjithë Evropës Perëndimore. Tulipanët u prezantuan për herë të parë në Holandë në fund të shekullit të 16-të.
Në fillim të shekullit të 17-të, tulipanët u shndërruan në një obsesion për të gjithë dhe çdokush donte t’i kishte në kopshtin e vet. Ata u bënë shpejt një produkt i rëndësishëm tregtar në Holandë dhe në pjesë të tjera të Evropës dhe shiteshin me çmime marramendëse – për shembull, thuhej se një lule kushtonte dhjetë herë më shumë se paga mesatare e një punëtori në Holandë dhe vlente më shumë se vetë shtëpia e tij! Midis viteve 1596 dhe 1598, mbi njëqind bulba u vodhën nga kopshti i Carolus Clusius-it (njeriu përgjegjës për njohjen e tulipanëve në Holandë) në Leiden, një ngjarje e njohur si Tulpenmanie, që do të thotë “Mania e Tulipanëve”.

Tulipanët janë ende jashtëzakonisht popullorë në Holandë dhe festohen si në Ditën Kombëtare të Tulipanëve, ashtu edhe në festivale të tilla si Festivali i Tulipanëve të Amsterdamit, që zhvillohet më vonë në mars. Miliona vizitorë, vendas dhe turistë, dynden drejt Keukenhof-it, destinacioni më i famshëm i tulipanëve në Holandë, për të admiruar kopshtet në Lisse (30 minuta nga Amsterdami). Nëse vizitoni Amsterdam-in në prill, do të shihni mbi 850.000 tulipanë shumëngjyrësh dhe unikë, të ekspozuar në kopshtet e muzeve, shtëpive private dhe vende të tjera në të gjithë qytetin. Holanda është prodhuesi më i madh tregtar i tulipanëve në botë, duke eksportuar rreth tre miliardë çdo vit.

Që nga viti 2012, Dita Kombëtare e Tulipanëve ekziston dhe tulipanët holandezë janë gjerësisht të disponueshëm në mbi 1.000 varietete të ndryshme deri në fillim të majit. Nga e verdha e ndezur te vjollca e thellë, nga forma e zambakut te ajo me thekë, dyngjyrëshe apo me lule të dyfishta – çfarëdo që kërkoni, kjo lule jua ofron të gjitha./Përshtati nga Thursd.com, ekofin.al
