Në tremujorin e tretë të vitit 2025, çmimet e banesave në BE u rritën me 5.5%, ndërsa qiratë u rritën me 3.1%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2024. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, çmimet e banesave u rritën me 1.6% dhe qiratë me 0.9%.
Sipas të dhënave të Eurostat, çmimet e banesave dhe qiratë në BE patën një ecuri të ngjashme midis vitit 2010 dhe tremujorit të dytë të vitit 2011, por që prej asaj periudhe kanë evoluar ndryshe. Ndërsa qiratë janë rritur në mënyrë të qëndrueshme, çmimet e banesave kanë ndjekur një model më të paqëndrueshëm, duke kombinuar periudha rënieje, stagnimi dhe rritjeje të shpejtë. Gjatë dekadës së fundit, midis vitit 2015 dhe tremujorit të tretë të vitit 2025, çmimet e banesave në BE u rritën me 63.6%, ndërsa qiratë me 21.1%.
Sa i përket të dhënave kombëtare, duke krahasuar tremujorin e tretë të vitit 2025 me vitin 2015, çmimet e banesave u rritën më shumë se qiratë në 25 vende të BE-së për të cilat ka të dhëna. Gjatë kësaj periudhe, çmimet e banesave u trefishuan në Hungari (+275%) dhe u dyfishuan në më shumë se 11 vende, me rritjet më të mëdha të regjistruara në Portugali (+169%), Lituani (+162%) dhe Bullgari (+156%). Finlanda ishte i vetmi vend ku çmimet e banesave ranë gjatë kësaj periudhe (-2%).
Në të njëjtën periudhë, qiratë u rritën në të gjitha 27 vendet e BE-së, me rritjen më të lartë të regjistruar në Hungari (+107%), e ndjekur nga Lituania (+85%), Sllovenia (+76%), Polonia (+75%) dhe Irlanda (+74%).

