Projektvendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e rregullores mbi procedurat e vlerësimit dhe shqyrtimit të investimeve të huaja direkte, i hedhur për konsultim publik, ka nxitur një reagim të strukturuar dhe kritik nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Dhoma vlerëson rëndësinë strategjike të mekanizmit të “screening”-ut për investimet që lidhen me infrastrukturën publike kritike, teknologjitë kritike, mallrat me përdorim të dyfishtë, furnizimin me inpute kritike, aksesin në informacion të ndjeshëm dhe lirinë e medias, por thekson se forma aktuale e aktit nuk përbën një bazë të mjaftueshme ligjore.
Sipas AmCham, procesi i shqyrtimit të investimeve të huaja është kompleks dhe me ndikim të drejtpërdrejtë si në të drejtat e investitorëve, ashtu edhe në ekonominë kombëtare. Për këtë arsye, miratimi i një rregulloreje me Vendim të Këshillit të Ministrave shihet si i pamjaftueshëm për të garantuar qëndrueshmëri, parashikueshmëri dhe mbrojtje ndaj interpretimeve subjektive. Një mekanizëm i tillë, thekson Dhoma, kërkon një ligj të posaçëm që të adresojë në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjithë elementët e procesit të “screening”-ut, duke vendosur rregulla të qarta dhe uniforme për të gjithë aktorët.
Në analizën e saj, AmCham nënvizon edhe çështjen e përputhshmërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Edhe pse drafti i projektvendimit pasqyron në plan formal strukturën e Rregullores (BE) 2019/452, ai nuk reflekton plotësisht frymën interpretuese dhe balancuese të saj, veçanërisht rolin e recital-eve që janë thelbësore për një zbatim proporcional dhe të arsyetuar të mekanizmit. Një akt nënligjor i fragmentuar, sipas Dhomës, rrezikon të mos sigurojë një konvergjencë reale me standardet dhe praktikat më të mira evropiane, në një moment kur Shqipëria ndodhet në proces aktiv negociatash për anëtarësim në BE.
Një tjetër shqetësim i rëndësishëm lidhet me mungesën e qartësisë dhe transparencës. Projektvendimi përdor terma të përgjithshëm, si “vlerësim siç duhet”, pa përcaktuar kritere objektive dhe të matshme për vlerësimin e riskut. Kjo qasje, sipas AmCham, krijon pasiguri juridike për investitorët e huaj, të cilët nuk janë në gjendje të vlerësojnë paraprakisht rrezikun rregullator dhe pasojat e mundshme të një procedure shqyrtimi.
Dhoma ngre gjithashtu shqetësime serioze mbi arkitekturën institucionale të vendimmarrjes. Drafti përqendron kompetenca të gjera në një Komitet Ndërministror, pa rregulla të detajuara për funksionimin e tij, kuorumin, mënyrën e votimit apo trajtimin e konflikteve të interesit. Kjo mungesë rregullimi procedural, theksohet në qëndrimin e AmCham, hap rrugë për vendimmarrje diskrecionale dhe e bën më të vështirë mbrojtjen juridike të vendimeve të marra.
Edhe afatet procedurale konsiderohen problematike. Afati 5-ditor për plotësimin e dokumentacionit nga investitori i huaj, me pasojë anulimin e procedurës në rast mosrespektimi, shihet si joproporcional. Po ashtu, parashikimi i miratimit automatik të investimit në mungesë të një vendimi brenda afatit e lidh rezultatin e procedurës më shumë me rrjedhën formale të afateve sesa me një vlerësim substancial të riskut, duke krijuar dobësi strukturore në vetë mekanizmin e kontrollit.
Në aspektin procedural, AmCham kritikon edhe parashikimin e “thirrjes së investitorit të huaj në seancë dëgjimore”, i cili krijon perceptimin e një procedure hetimore ose ndëshkuese. Një qasje e tillë, sipas Dhomës, nuk përputhet me frymën nxitëse dhe mikpritëse që duhet të karakterizojë kuadrin ligjor për investimet e huaja direkte.
Në përfundim, Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerëson se projektvendimi aktual duhet të ripunohet në tërësi dhe sugjeron hartimin e një ligji të posaçëm për “FDI Screening”. Ky ligj, sipas rekomandimeve, duhet të përcaktojë qartë fushat dhe sektorët subjekt të shqyrtimit, profilin dhe origjinën e investitorëve, pragjet e investimeve, kriteret e vlerësimit të riskut, strukturën institucionale, procedurat dhe garancitë procedurale, si dhe sanksionet, duke siguruar një përputhshmëri të plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
AmCham shpreh gatishmërinë e saj për të kontribuar me ekspertizë profesionale në hartimin e një kuadri ligjor të qëndrueshëm dhe të balancuar, duke theksuar se vetëm një ligj i qartë dhe transparent mund të arrijë njëkohësisht dy objektiva kyçe: mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe krijimin e një klime të besueshme për investitorët e huaj, veçanërisht ata strategjikë dhe afatgjatë. /ekofin.al
