Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare pësoi sërish rënie në ankandin e kësaj jave dhe preku nivelin më të ulët në 15 muaj.
Sipas të dhënave nga banka qendrore, kuponi dhe yield-i uniform i pranuar në emetimin e ri të obligacioneve 10 vjeçare rezultoi 6%, nga 6.6% që kishte qenë në ankandin e fundit të këtyre instrumenteve, në muajin prill.
Yield-i këtyre instrumenteve ka zbritur në nivelin më të ulët që prej prillit të vitit të kaluar, periudhë kur Banka e Shqipërisë sapo kishte nisur rritjen e normave të interesit.
Nga 3 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, vlera totale e kërkesave në ankand arriti në 5.26 miliardë lekë. Duke qenë se kushtet e ofruara nga tregu u vlerësuan të favorshme, MFE vendosi ta rrisë shumën e emetimit në afërsisht 3.4 miliardë lekë.
Yield-et instrumenteve afatgjata tashmë dëshmojnë se tregu e ka kaluar fazën e pasigurisë që karakterizoi gjysmën e dytë të vitit të kaluar dhe se pritshmëritë për inflacionin dhe lëvizjet e politikës monetare janë dukshëm më të qëndrueshme. As rritja e normës bazë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në fund të muajit mars, me 0.25 pikë përqindje, nuk ka sjellë një rritje të yield-eve.
Likuiditeti i lartë në sektorin financiar po luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në uljen e yield-eve, duke rritur konkurrencën mes investitorëve për bonot dhe obligacionet qeveritare. Për të gjitha instrumentet e borxhit, rritja vjetore e yield-eve është tashmë më e ulët se rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Madje, yield-et e bonove 12-mujore tashmë janë shumë afër nivelit të normës bazë të interesit.