Strategjia Minerare 2026–2030 parashikon një transformim të thellë të mënyrës se si Shqipëria administron, vlerëson dhe zhvillon burimet e saj minerare, duke e orientuar sektorin drejt standardeve ndërkombëtare, transparencës dhe inovacionit teknologjik. Një nga shtyllat kryesore të strategjisë është rivlerësimi i rezervave kombëtare sipas Klasifikimit të Kombeve të Bashkuara për Burimet (UNFC), me objektivin ambicioz që të paktën 80% e rezervave kombëtare të rivlerësohen deri në vitin 2035.
Ky proces do të zhvillohet në mënyrë progresive në të gjithë territorin e vendit dhe do të mbështetet në përdorimin e të dhënave ekzistuese, të kombinuara me verifikime shtesë në terren dhe analiza laboratorike. Qasja synon të rrisë ndjeshëm transparencën dhe besueshmërinë e informacionit gjeologjik, duke krijuar një bazë më solide për planifikim afatgjatë dhe për tërheqjen e investimeve vendase dhe të huaja në sektorin minerar. Autoriteti përgjegjës për zbatimin e kësaj mase është Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe kompanitë private që operojnë në këtë sektor.
Në të njëjtën linjë me standardizimin dhe digjitalizimin e informacionit, strategjia parashikon krijimin e një regjistri kombëtar dixhital të burimeve dhe rezervave minerare, të strukturuar sipas UNFC dhe të integruar me sistemin kombëtar të informacionit minerar. Ky regjistër do të shërbejë si një instrument kyç për planifikim strategjik, monitorim dhe raportim, duke mundësuar gjithashtu akses të kontrolluar për institucionet publike, investitorët dhe aktorët e tjerë relevantë. Përgjegjësia kryesore për ngritjen e këtij regjistri i takon AKBN-së, me mbështetje teknike nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe RIC Albania.
Një tjetër drejtim strategjik me rëndësi është modernizimi dhe zgjerimi i kapaciteteve të përpunimit dhe riciklimit përmes teknologjive inovative. Strategjia synon të mbështesë investime në teknologji të avancuara për përpunim dhe riciklim, si dhe ndërtimin e të paktën tri impianteve të reja përpunimi ose riciklimi, të certifikuara sipas standardeve ISO dhe ESG, deri në vitin 2040. Në këtë proces, aktorët kryesorë do të jenë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, AKBN, RIC Albania dhe operatorët privatë.
Paralelisht, dokumenti parashikon zbatimin e projekteve pilot me teknologji të avancuara, përfshirë hidrometalurgjinë, in-situ leaching, bioteknologjinë, inteligjencën artificiale dhe sistemet e ndarjes së bazuara në sensorë. Objektivi është realizimi i të paktën katër projekteve pilot, të shoqëruara me raporte teknike dhe vlerësim të rezultateve, në bashkëpunim mes RIC Albania, universiteteve, AKBN-së dhe operatorëve privatë.
Në tërësi, Strategjia Minerare 2026–2030 synon ta zhvendosë sektorin minerar shqiptar nga një model tradicional drejt një qasjeje të bazuar në të dhëna të standardizuara ndërkombëtarisht, teknologji të pastra dhe zinxhirë vlere me shtesë më të lartë, duke e pozicionuar sektorin si një kontribuues të qëndrueshëm në zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit. /ekofin.al
