Gjykata e Lartë e SHBA pranoi të shqyrtojë kushtetutshmërinë e urdhrit ekzekutiv të ish-Presidentit Donald Trump që synon t’i japë fund të drejtës së shtetësisë me lindje (birthright citizenship). Kjo shënon herën e parë që gjykata trajton drejtpërdrejt thelbin e kësaj çështjeje, e konsideruar ligj i konsoliduar që nga shekulli i 19-të.
Urdhri i Trump parashikon që fëmijët e lindur në SHBA nga prindër që ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme ose të përkohshme të mos marrin dokumente që njohin shtetësinë amerikane. Të gjitha gjykatat më të ulëta – si konservatore ashtu edhe liberale – e kanë shpallur urdhrin antikushtetues, duke iu referuar Amendamentit të 14-të dhe vendimit historik US v. Wong Kim Ark të vitit 1898, i cili konfirmoi se kushdo që lind në territorin amerikan është qytetar, me përjashtime shumë të kufizuara.
Administrata Trump argumenton se ky precedent është keqinterpretuar dhe se dispozita synonte vetëm ish-skllevërit e liruar dhe fëmijët e tyre, jo fëmijët e vizitorëve të përkohshëm ose emigrantëve të paligjshëm. Ekspertë ligjorë, përfshirë analistë të CNN dhe ACLU-në, e quajnë këtë teori “të gabuar” dhe “fringe”.
Gjykata do t’i dëgjojë argumentet vitin e ardhshëm dhe pritet të vendosë deri në qershor. Një vendim pro Trump do të përmbyste një parim bazë të ligjit amerikan të imigracionit dhe mund të krijojë pasoja të gjera praktike për dokumentimin e shtetasve të rinj.
Ndërkohë, politika e Trump nuk ka hyrë kurrë në fuqi, pasi është bllokuar vazhdimisht nga gjykatat, përfshirë një vendim të një gjykate në New Hampshire në një padi kolektive të paraqitur nga ACLU./Përshtati nga CNN, ekofin.al
