Banka e Shqipërisë ka nxjerrë në konsultim publik një nga aktet më të rëndësishme të viteve të fundit në fushën e sigurisë teknologjike: projekt-rregulloren “Për qëndrueshmërinë operacionale digjitale”, të njohur ndryshe si kuadri shqiptar i DORA (Digital Operational Resilience Act). Akti synon të sjellë në Shqipëri standardet e reja që po zbatohen në Bashkimin Europian, duke shtrirë ndikimin te bankat, institucionet e pagesave, emetuesit e parasë elektronike, fintech-et, ofruesit e shërbimeve të TIK, si dhe entitetet që mbështeten në to.
Rregullorja përfaqëson një hap strategjik drejt forcimit të arkitekturës së sigurisë në një ekosistem financiar gjithnjë e më të digjitalizuar, ku rreziqet kibernetike po rriten me ritme më të shpejta se adoptohet teknologjia.
Një kuadër i unifikuar sigurie për të gjithë ekosistemin financiar
Drafti i Bankës së Shqipërisë përcakton kërkesa të standardizuara për të gjitha institucionet financiare në disa fusha kyçe: administrimi i rrezikut të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), raportimi i incidenteve madhore, testimi i qëndrueshmërisë, menaxhimi i rrezikut nga palët e treta dhe siguria e rrjetit e sistemeve.
Ky kuadër përfshin pothuajse çdo hallkë të zinxhirit digjital që lidhet me ofrimin e shërbimeve financiare, duke mos lënë jashtë as ofruesit e shërbimeve të teknologjisë — një risi që vë në të njëjtin nivel përgjegjësie edhe “palët e treta”, të cilat deri më tani nuk ishin subjekt formal i kërkesave të detajuara të rregullatorit.
Organet drejtuese marrin rolin kryesor në sigurinë digjitale
Një nga elementet thelbësore të rregullores është vendosja e përgjegjësisë së plotë të organit drejtues të institucionit financiar për administrimin e rrezikut të TIK.
Në praktikë kjo do të thotë se bordet, komitetet ekzekutive dhe drejtuesit e nivelit të lartë duhet të miratojnë strategjinë e qëndrueshmërisë operacionale digjitale, të përcaktojnë nivelin e tolerancës ndaj rrezikut, të sigurojnë burime financiare dhe njerëzore adekuate, të rishikojnë planet e vazhdimësisë së biznesit dhe rimëkëmbjes nga fatkeqësitë, të monitorojnë marrëdhëniet me ofruesit e shërbimeve të TIK.
Në thelb, Banka e Shqipërisë po e zhvendos fokusin nga funksioni i IT-së te përgjegjësia strategjike e drejtimit të institucionit.
Inventari digjital: çdo aset teknologjik duhet identifikuar, kataloguar dhe vlerësuar
Rregullorja kërkon që institucionet të identifikojnë dhe të klasifikojnë të gjitha asetet e informacionit dhe të TIK; të analizojnë ndërlidhjet mes sistemeve, aplikacioneve dhe proceseve; të mbajnë inventar të përditësuar çdo vit dhe sa herë ka ndryshime të rëndësishme.
Kjo është një nga kërkesat më sfiduese, duke qenë se shumë institucione shqiptare ende nuk posedojnë një CMDB (Configuration Management Database) të plotë — një nga elementet bazë të qeverisjes së TIK.
Nga kontrolli i aksesit, te segmentimi i rrjetit dhe kriptografia
Drafti vendos detyrime të forta teknike, përfshirë aplikimin e politikave të sakta të kontrollit të aksesit fizik dhe logjik; përdorimin e autentifikimit të fortë; enkriptimin e të dhënave sipas klasifikimit të tyre; segmentimin e rrjetit për të shmangur përhapjen e sulmeve; protokolle të qarta për menaxhimin e ndryshimeve teknologjike.
Këto kërkesa do të detyrojnë institucionet financiare të rishikojnë një pjesë të arkitekturës së tyre ekzistuese të sigurisë.
Raportim i detyrueshëm për incidentet madhore
Për herë të parë në mënyrë të detajuar, rregullorja përcakton çfarë konsiderohet incident i lidhur me TIK, kur klasifikohet si incident madhor, afatet dhe format e raportimit në Bankën e Shqipërisë, detyrimin për raportimin e kostove dhe humbjeve të shkaktuara.
Fillimisht, raportimi i incidenteve madhore ishte adresuar në udhëzimin “Për raportimin e incidenteve madhore”, por me hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje, ai shfuqizohet dhe zëvendësohet me një kuadër shumë më të gjerë e më të rreptë.
Vazhdimësia e biznesit dhe rimëkëmbja nga fatkeqësitë: një nivel i ri rigoroziteti
Institucionet do të jenë të detyruara të hartojnë politika të detajuara të vazhdimësisë së biznesit të TIK, të testojnë çdo vit planet e rimëkëmbjes, të zhvillojnë analiza të ndikimit në biznes (ANB), të sigurojnë infrastrukturë dytësore me kapacitet të mjaftueshëm për rikthim të menjëhershëm,
të menaxhojnë backup-et sipas protokolleve të dokumentuara.
Pretendohet që sistemi financiar shqiptar të jetë i aftë të rikuperohet nga një incident i rëndë pa shkaktuar ndërprerje të zgjatura të shërbimeve financiare.
Testimi i qëndrueshmërisë: përfshihet për herë të parë TLPT
Një risi thelbësore është futja e TLPT (Threat-Led Penetration Testing), një metodologji testimi e avancuar që simulon taktikat e aktorëve realë të kërcënimit kibernetik.
Institucionet më të mëdha dhe ato me rrezik më të lartë do t’u nënshtrohen testimeve të detajuara, do të përdorin ekipe të specializuara “red team”, si edhe do të testojnë sisteme kritike të prodhimit.
Ky është standardi më i lartë i testimit të sigurisë në nivel global dhe deri sot nuk ishte aplikuar në mënyrë të strukturuar në Shqipëri.
Rregulla të rrepta edhe me palët e treta të TIK
Rregullorja vendos kërkesa shumë të rrepta për marrëdhëniet me ofruesit e shërbimeve të TIK, ku përfshihen vlerësim i rrezikut të palës së tretë (outsourcing risk), parashikime kontraktuale të detyrueshme për auditim, akses dhe menaxhim incidentesh, vlerësim të rrezikut të përqendrimit (vendor concentration risk), si edhe analiza për përdorimin e ofruesve të vendosur jashtë vendit.
Në terma praktikë, institucionet financiare do të duhet të rishikojnë të gjitha kontratat ekzistuese me ofruesit teknologjikë.
Fintech-et dhe institucionet e vogla nuk përjashtohen
Drafti nuk bën dallim në kërkesat themelore të sigurisë: të gjitha subjektet financiare duhet t’i zbatojnë ato. Megjithatë, niveli i thellimit teknik dhe dokumentues ndryshon sipas madhësisë, natyrës së aktivitetit, kompleksitetit dhe profilit të rrezikut.
Ky mekanizëm synon të shmangë barrën e panevojshme për subjektet e vogla, por pa kompromentuar standardet e sigurisë.
Projekt-rregullorja “Për qëndrueshmërinë operacionale digjitale” përfaqëson ndoshta dokumentin më ambicioz të Bankës së Shqipërisë në fushën e sigurisë teknologjike. Ajo vendos themelet për një transformim të plotë të mënyrës si trajtohen rreziqet digjitale dhe operacionale, duke e çuar sistemin financiar shqiptar shumë më pranë standardeve europiane.
Ndikimi do të jetë i gjerë: bankat dhe institucionet financiare do të duhet të investojnë më shumë në teknologji, procese, qeverisje dhe burime njerëzore. Për publikun dhe ekonominë, rregullorja përkthehet në më shumë siguri, më pak rreziqe dhe një sistem financiar më të qëndrueshëm përballë kërcënimeve digjitale të epokës moderne. /ekofin.al
