Administrata Tatimore ka publikuar listën e pagave indikative për sektorin e ndërtimit, një instrument që synon të shërbejë si referencë për pagat reale të profesionistëve në këtë industri dhe të mbështesë përpjekjet për reduktimin e informalitetit. Nisma vjen në kuadër të planit sektorial të ndërtimit dhe objektivit për rritjen e pagesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore, duke qenë se ky sektor prej vitesh renditet ndër më problematikët sa i përket deklarimit të saktë të pagave. Nëpërmjet kësaj analize, synohet që punonjësit e ndërtimit të mos rezultojnë të deklaruar me paga nën vlerën reale, çka dëmton jo vetëm të ardhurat e tyre aktuale, por edhe të drejtat e tyre në sistemin e pensioneve.
Administrata Tatimore informon se do të analizohen me kujdes listëpagesat e bizneseve në këtë sektor, duke i krahasuar me nivelin orientues të pagave sipas profesioneve të tabelës së sapopublikuar. Çdo pagesë e deklaruar nën pragun indikativ do të konsiderohet sinjal i mundshëm për shmangie nga detyrimet tatimore dhe kontributive. Po ashtu, do të trajtohen si raste me risk edhe ato situata kur profesioni i punonjësit ndryshohet artificialisht vetëm për t’u kategorizuar në një nivel page më të ulët, duke devijuar nga realiteti i punës së kryer.
Për të gjithë tatimpaguesit që operojnë në sektorin e ndërtimit, Administrata ka përcjellë një apel të qartë: deklaroni saktë pagat e punonjësve për të shmangur masat administrative dhe kontrollet nga strukturat e specializuara. Qasja e re synon të forcojë integritetin fiskal dhe social të sektorit, të rrisë mbrojtjen e punonjësve dhe të garantojë kushte më të barabarta konkurruese mes ndërmarrjeve. Në thelb, lista e pagave indikative nuk është vetëm një mekanizëm kontrolli, por një mjet që nxit formalizimin, rritjen e të ardhurave nga kontributet dhe përmirësimin e perspektivës së pensioneve për mijëra punonjës të ndërtimit në vend. /ekofin.al

