Ari vijon të mbetet një nga asetet më të qëndrueshme të vlerës në botë, ndërsa bankat qendrore po e rrisin blerjen në nivele rekord. Ky trend ka shtyrë metalin e çmuar të shënojë çmime historike gjatë vitit 2025. Të dhënat e reja nga BullionVault, të cilat analizojnë rezervat zyrtare të arit të vendeve, tregojnë një panoramë të qartë: SHBA dhe Evropa kontrollojnë mbi 60% të të gjitha rezervave globale të raportuara.
Sipas të dhënave të vitit 2024, Shtetet e Bashkuara mbeten mbajtësit më të mëdhenj të arit në botë, me 8,133.5 ton, një shifër pothuajse e pandryshuar prej dekadash. Shumica e këtij thesari ruhet në Fort Knox dhe në Rezervën Federale të Nju Jorkut. Në çmimet aktuale, rezerva e SHBA-së vlerësohet mbi 1 trilion dollarë, duke shërbyer si një aset strategjik që mbështet besimin global te dollari amerikan.
Ndërkohë, ekonomitë kryesore të Evropës, Gjermania (3,352 ton), Italia (2,452 ton) dhe Franca (2,437 ton), së bashku mbajnë gati 8,200 ton ari, një sasi që rivalizon nivelet amerikane dhe rrjedh nga trashëgimia monetare e epokës së Bretton Woods.
Kina ka shënuar një rritje të fortë të rezervave të arit, nga 1,948 ton në vitin 2019 në 2,280 ton në 2024, ndërsa Pekini vijon përpjekjet për të diversifikuar aktivet dhe për të reduktuar varësinë nga bono të Thesarit amerikan.
India, tashmë ekonomia e pestë më e madhe në botë, ka arritur në 876 ton rezerva, duke forcuar pozicionin e saj si një lojtar kryesor në tregun global të arit.
Gjithashtu, vende të tjera si Turqia (595 ton) dhe Polonia (448 ton) kanë shënuar rritje të dukshme të rezervave midis 2019 dhe 2024. Veçanërisht Polonia ka regjistruar një nga rritjet më të mëdha në Europë, duke dyfishuar rezerva për të përballuar presionet inflacioniste dhe rreziqet gjeopolitike.
Vendet në zhvillim dhe ekonomitë e pasura me energji nuk mbeten pas. Uzbekistani (383 ton) dhe Arabia Saudite (323 ton) janë bërë aktorë të rëndësishëm, duke e shtuar arin si pjesë të qëllimeve të tyre për stabilitet financiar afatgjatë.
Ndërkohë, shtete si Tailanda, Singapori dhe Kazakistani po vijojnë të zgjerojnë rezervat e tyre, duke parë arin si mburojë ndaj goditjeve globale, luhatjeve të monedhave dhe pasigurive të tregjeve.
Me inflacion të lartë, tensione gjeopolitike dhe një sistem financiar global gjithnjë e më të fragmentuar, ari po përjeton një “moment rilindjeje”. Blerjet rekord të bankave qendrore kanë rikthyer metalin e çmuar në qendër të strategjive të stabilitetit dhe çmimet e vitit 2025 po e reflektojnë fuqishëm këtë zhvendosje.
Në një botë të pasigurt, ari po konfirmohet sërish si një nga garancitë më të besueshme të vlerës./Përshtati nga Visual Capitalist, ekofin.al

