Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vlerësoi marrëveshjen e nënshkruar midis Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe SIMEST S.p.A., si dhe të gjitha marrëveshjet e tjera me karakter ekonomik të firmosura në kuadër të Mbledhjes së Përbashkët Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë dje në Romë.
Sipas saj, kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe krijimit të një ekosistemi të integruar mbështetjeje për bizneset shqiptare në procesin e ndërkombëtarizimit.
“Italia ka qenë dhe mbetet partneri ynë strategjik më i afërt, investitori i parë dypalësh dhe ndërmjetësi kryesor ekonomik e institucional i Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian. Marrëveshja AIDA–SIMEST është një hap konkret për nxitjen e inovacionit, digjitalizimit dhe rritjes së qëndrueshme”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Ajo theksoi se bashkëpunimi institucional me partnerë si CDP (Cassa Depositi e Prestiti) dhe SIMEST po ndërton ura të qëndrueshme në fusha kyçe, si kërkimi shkencor, inovacioni teknologjik, financimi i zhvillimit dhe mbështetja e ndërmarrjeve të vogla e të mesme (SME).
Ibrahimaj theksoi se këto marrëveshje pasqyrojnë qartë vizionin e përbashkët për një ekonomi më të fortë, inovative dhe të qëndrueshme, si edhe për përshpejtimin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Shqipëria e konsideron Italinë jo vetëm si një partner strategjik, por si një vend mik e vëlla, që qëndron në krah të saj në rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Qëllimi ynë i përbashkët është të zgjerojmë edhe më tej urën e fortë që lidh Tiranën dhe Romën, një urë që bashkon ndërmarrje, universitete, institucione, komunitete dhe qytetarë brenda familjes së madhe evropiane”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
