Një fabrikë dyshekësh në Plovdiv të Bullgarisë ka zgjedhur të plotësojë nevojat e furnizimit me energji përmes një sistemi fotovoltaik prej 5.6 MW me kapacitet baterie prej 15 MWh.
Prodhuesit në të gjithë Evropën Juglindore po përdorin fotovoltaikët për konsum vetjak për të reduktuar ekspozimin ndaj paqëndrueshmërisë së çmimeve të energjisë në treg dhe për të forcuar sigurinë e furnizimit.
Fabrika e dyshekëve instaloi një termocentral diellor në çati në vitin 2022 prej 2.6 MW, por pasi i shtoi edhe sistemin e ruajtjes së energjisë së baterisë (BESS) investimi kaloi në tjetër nivel. Nëpërmjet një softueri të specializuar, i përmirësuar me veçoritë e inteligjencës artificiale, arrihet optimizimi i ruajtjes dhe konsumimi i energjisë së baterive. Softueri është në gjendje të kombinojë parashikimet meteorologjike, çmimet e energjisë elektrike dhe të dhënat për disponueshmërinë e furnizimit të jashtëm.
Plani është që komponenti i energjisë diellore të rritet në 5.6 MW. Fabrika mbulon 100% të nevojave për energji për përdorim vetjak gjatë ditës dhe bateria mbulon 100% të nevojave të natës.
Bullgaria po mbështetet shumë në teknologjinë e baterive dhe ruajtjen e energjisë në përgjithësi për të kapërcyer tranzicionin e saj të energjisë. Ministria e Energjisë ka shpallur në gusht një tender për projektet e pavarura të ruajtjes së energjisë, për të cilat ka vënë në dispozicion grante me vlerë 589 milionë euro. Më herët kishte shpallur dy thirrje që fabrikat e baterive të integrohen me termocentrale të rinovueshme.
Projektet gjithmonë në rritje kanë shtyrë Komisionin Rregullator të Energjisë dhe Ujit (KEVR) të detyrojë investitorët të japin një depozitë ose garanci bankare prej 50,000 BGN (25,600 euro) për MWh.
Një tjetër kompani përuroi një termocentral diellor me një fabrikë ruajtjeje energjie muajin e kaluar në një ish-kantier mbetjesh industriale në Pernik pranë Sofjes. Ndërsa një kompani tjetër vuri në punë sistemin e saj të ruajtjes së energjisë së baterisë në qershor. Impianti 25 MW – 55 MWh në qytetin Razlog në Bullgarinë Jugperëndimore është i bashkëvendosur me një central fotovoltaik 33 MW. Është një nga njësitë e para të ruajtjes së energjisë së baterisë në Evropën Lindore dhe Juglindore dhe më e madhja në vend.
Një tjetër projekt nga një kompani belge me vlerë 1.1 miliardë euro nisi në dhjetor me fokus ndërtimin e një fabrike baterish, një fabrike riciklimi dhe një qendre kërkimi dhe zhvillimi në Bullgari. / Përgatiti: ekofin.al

