Qeveria ka autorizuar Korporatën e Investimeve Shqiptare që të koordinojë procesin e identifikimit dhe konsolidimit të pronës shtetërore për realizimin e projektit të investimit “Hospitality Albania, Vlorë”, një projekt që pritet të prekë zhvillimin urban dhe turistik të zonës bregdetare të Vlorës.
Vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave parashikon që Korporata e Investimeve Shqiptare të ndërmarrë të gjitha procedurat për identifikimin, saktësimin dhe konsolidimin e pronave shtetërore në zonën kadastrale 8602 të Vlorës, e konsideruar me interes për realizimin dhe funksionimin e projektit.
Sipas vendimit, Korporata do të bashkëpunojë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare dhe institucionet e tjera shtetërore për të shkëmbyer informacion dhe dokumentacion mbi statusin e pronave, kufijtë, sipërfaqet dhe të drejtat pronësore. Qëllimi është që të krijohet një pasqyrë e qartë juridike dhe fizike e pronave që lidhen me projektin.
Një pjesë e rëndësishme e procesit do të jetë edhe bashkëpunimi me subjektet private që kanë marrëdhënie pronësie në këtë zonë. Vendimi autorizon Korporatën që të negociojë me palët private për sqarimin e statusit të pronave, përcaktimin e pjesëve takuese dhe regjistrimin e tyre sipas statusit ligjor përkatës.
Qeveria parashikon gjithashtu që Korporata të ndërhyjë në rastet kur konstatohet mospërputhje mes gjendjes faktike dhe asaj ligjore të pronës, duke kryer konsolidimin e pronave të përfshira në projekt.
Përtej procesit të pronësisë, Korporata e Investimeve Shqiptare do të ketë rol edhe në hartimin e konceptit të zhvillimit urban të zonës ku ndodhet prona shtetërore. Kjo do të realizohet në bashkëpunim me skuadrën fituese të konkursit ndërkombëtar publik të zhvilluar më 4 qershor 2025.
Vendimi i qeverisë vendos afate të shpejta për institucionet shtetërore. Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe institucionet e tjera të përfshira në çështjet e pronësisë duhet të paraqesin dokumentacionin dhe informacionin e kërkuar brenda pesë ditëve nga marrja e kërkesës me shkrim nga Korporata e Investimeve Shqiptare.
Po ashtu, Korporata dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare duhet të lidhin marrëveshje bashkëpunimi brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit, për të përcaktuar standardet, metodologjinë dhe kushtet e bashkëpunimit për realizimin e projektit.
Vendimi autorizon gjithashtu Korporatën e Investimeve Shqiptare që, vetë ose përmes subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë procedura me institucionet përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, si dhe të sigurojë regjistrimin e pronës së re shtetërore që mund të krijohet në kuadër të projektit. /ekofin.al
