Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë flet në këtë intervistë për “Global Finance” Magazine për transformimin ekonomik të vendit dhe rolin e Bankës së Shqipërisë.
Gjatë 10 viteve tuaja si guvernator, perspektiva ekonomike e Shqipërisë është transformuar. Çfarë roli ka luajtur Banka e Shqipërisë?
Shqipëria ka përjetuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, mirëqenie dhe stabilitet makroekonomik gjatë dekadës së fundit. PBB-ja jonë e përgjithshme është rritur me 38%; të ardhurat reale mesatare për frymë, në terma të standardit të fuqisë blerëse (PPS), janë rritur me 54%, ndërsa papunësia ka zbritur në nivelin më të ulët që nga periudha e tranzicionit – 8.7%. Inflacioni mesatar vjetor (CPI) ka qenë rreth 2.6%, ndërsa borxhi i jashtëm dhe ai publik janë reduktuar. Kjo performancë bëhet edhe më e veçantë duke pasur parasysh gamën e gjerë të sfidave që kemi përballuar. Banka e Shqipërisë (BSh) ka luajtur një rol vendimtar në këtë sukses.
Së pari, qasja jonë e qëndrueshme dhe e koordinuar ndaj politikës monetare – e bazuar në një kornizë moderne të objektivit të inflacionit dhe në një regjim fleksibël të kursit të këmbimit, si dhe në rregullimin dhe politikat makroprudenciale të sektorit bankar – ka garantuar një mjedis të qëndrueshëm.
Së dyti, kemi zbatuar reforma strukturore për përmirësimin e klimës së përgjithshme të kreditimit dhe forcimin e qëndrueshmërisë, efiçencës dhe konkurrueshmërisë së sektorit bankar. Kjo ka bërë të mundur që sistemi bankar të shërbejë si një “amortizator goditjesh” ndaj tronditjeve të brendshme dhe të jashtme, duke ruajtur një fluks të pandërprerë kredie.
Së treti, kemi investuar në modernizimin e sistemit të pagesave dhe në rritjen e edukimit financiar të publikut shqiptar, me përfitime të dukshme për efiçencën financiare të sektorit privat.
Në fund, një tregues kyç i suksesit tonë është besimi gjithnjë në rritje që publiku ka ndaj institucionit tonë, ndaj vlerës së monedhës kombëtare dhe ndaj shëndetit të sistemit tonë financiar.
Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha që ka hasur Banka e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, dhe cilat janë çështjet kryesore sot?
Sfida kryesore ka qenë menaxhimi i situatave të shpeshta dhe të paprecedenta pa humbur fokusin tek axhenda jonë e reformave strukturore dhe nevoja për ndërtimin e kapaciteteve të brendshme. Mendoj se kemi qenë mjaft të suksesshëm në këtë drejtim.
Në aspektin e politikave, tronditjet dhe dinamika e shpejtë e mjedisit të jashtëm kanë kërkuar vëmendje të vazhdueshme, reagime të kujdesshme e të qëndrueshme, si dhe komunikim të qartë e të synuar të politikave tona. Më gëzon fakti që ky proces është lehtësuar ndjeshëm nga kapacitetet tona të forta analitike dhe të zbatimit të politikave.
Axhenda jonë e reformave strukturore është e lidhur ngushtë me procesin e integrimit në Bashkimin Europian, si dhe me angazhimin për të përvetësuar praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare. Kemi përfituar gjithashtu nga mbështetja dhe ekspertiza e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë FMN-në, Bankën Botërore dhe institucione të tjera, si edhe nga bashkërendimi i kujdesshëm me institucionet vendase.
PBB-ja totale arriti në 25 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe synimi është që deri në vitin 2030 të arrijë në 30 miliardë. Sa realist është ky objektiv dhe nga mund të vijë kjo rritje?
Ky objektiv është ambicioz, por i arritshëm.
Shqipëria ka momentum të fortë, të mbështetur në bilancet solide të sektorit privat, në një mjedis të qëndrueshëm ekonomik e financiar, në tregje pune të forta, besim pozitiv të biznesit dhe konsumatorëve, si dhe në rritjen e turizmit. Ne parashikojmë që ekonomia do të vazhdojë të ketë rritje të qëndrueshme, e mbështetur nga procesi në përparim i integrimit europian.
Në të njëjtën kohë, jemi të vetëdijshëm për sfidat komplekse që kemi përpara. Në aspektin e jashtëm, ato lidhen me barrierat në rritje ndaj tregtisë ndërkombëtare, rikonfigurimin e zinxhirëve globalë të furnizimit dhe evolucionin e shpejtë të inovacionit financiar. Ndërsa në aspektin e brendshëm, sfidat lidhen me tendencat demografike të pafavorshme, ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe nevojën për të orientuar modelin tonë të rritjes drejt produktivitetit.
Megjithatë, rezultatet tona pozitive në fushën e reformave strukturore, arkitektura e qëndrueshme e institucioneve tona të politikëbërjes dhe fleksibiliteti i jashtëzakonshëm i sektorit privat më bëjnë optimist për perspektivat e vendit.
Banka e Shqipërisë i kushton një rëndësi të madhe rregullimit të sektorit bankar. Për shembull, kreditë me probleme (NPL) kanë rënë në 4% nga mbi 24% në vitin 2013. Si u arrit kjo?
Rritja e kredive me probleme në vitet 2013–2014 tregoi urgjencën për të adresuar dobësitë në proceset e dhënies dhe mbledhjes së kredive të institucioneve financiare, si dhe pasiguritë ligjore që lidhen me të drejtat e kreditorëve dhe administrimin e kolateralit. Zgjidhja e këtyre çështjeve kërkoi një qasje ndërinstitucionale dhe bashkëpunim të ngushtë me aktorët publikë dhe privatë, përfshirë vetë bankat.
Raporti mesatar i kredive me probleme ka rënë në mënyrë të qëndrueshme, duke reflektuar jo vetëm uljen e vlerës absolute të tyre, por edhe ndikimin pozitiv të rritjes ekonomike.

