Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin “Për përcaktimin e rregullave, masës, përjashtimeve nga sanksionet dhe procedurës për mbledhjen dhe administrimin e tarifës së transmetimit të informacionit të udhëtimit”, duke vënë në zbatim dispozitat e ligjit nr. 38/2025 “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”. Ky akt vendos bazën ligjore për mënyrën se si transportuesit ajrorë, tokësorë dhe ujorë do të kontribuojnë financiarisht në funksionimin e sistemit të Sektorit të Inteligjencës së Udhëtimit, strukturë që administron të dhënat e pasagjerëve për qëllime sigurie, kontrolli kufitar dhe parandalimi të veprimtarive të paligjshme.
Tarifa e re, e cila hyn në fuqi menjëherë pas botimit të vendimit në “Fletoren Zyrtare”, do të jetë 200 lekë për pasagjer gjatë vitit të parë të zbatimit. Pas këtij afati, ajo do të rishikohet çdo tre vjet, në përputhje me kostot reale të shërbimit dhe nevojat teknologjike të sistemit. Të ardhurat nga kjo tarifë do të përdoren për mbulimin e kostove të infrastrukturës teknologjike, mirëmbajtjes, sigurisë dhe përpunimit të të dhënave, përfshirë serverat, pajisjet e sigurisë, licencat softuerike dhe mbështetjen teknike. Procedura e mbledhjes dhe administrimit të tarifës është e përcaktuar qartë: transportuesit do të raportojnë çdo muaj numrin e pasagjerëve.
Sektori i Inteligjencës së Udhëtimit do të verifikojë të dhënat dhe operatori ekonomik i licencuar do të lëshojë faturat përkatëse, të cilat duhet të paguhen brenda 30 ditëve. Mospagesa në afat do të penalizohet sipas parashikimeve të ligjit “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”. Përjashtime nga pagesa parashikohen për pasagjerët nën moshën 2 vjeç pa vend të rezervuar, për udhëtimet me karakter humanitar të miratuara nga autoritetet shtetërore, si dhe për transportet që kryhen nga strukturat shtetërore për misione të posaçme sigurie ose emergjence.
Po ashtu, janë parashikuar raste përjashtimi nga sanksionet në situata të forcës madhore, defekte teknike të papritura ose sulme kibernetike, kur operatori ka njoftuar menjëherë autoritetet dhe ka bashkëpunuar për korrigjimin e problemit. Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ndërsa operatori ekonomik që administron sistemin ka detyrimin të sigurojë transparencë të plotë financiare dhe të raportojë periodikisht për shërbimet e kryera dhe tarifat e arkëtuara.
Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të kontrollit kufitar dhe integrimit të Shqipërisë në sistemet bashkëkohore të menaxhimit të informacionit të udhëtimit, duke garantuar një proces më të sigurt, më efikas dhe të unifikuar për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare. /ekofin.al
