Italia do të vërë në funksionim një tren nate që lidh Romën me tregjet legjendare të Krishtlindjeve në Mynih, me nisje nga kryeqyteti italian më 5 dhe 12 dhjetor dhe me kthim më 7 dhe 14 dhjetor.
Espresso Monaco është një nga disa linja të kufizuara hekurudhore që ofrohen në kuadër të nismës turistike të Italisë, FS Treni Turistici, e cila ofron gjithashtu një udhëtim me tren drejt tregjeve të Krishtlindjeve në Arezzo.
I pajisur me bar dhe shërbim restoranti, treni i natës do të jetë i zbukuruar me temë festive, me muzikë të Krishtlindjeve në sfond dhe me një dhuratë të vogël për çdo pasagjer.
“Harrojeni stresin e drejtimit dhe radhët në aeroporte. Me Espresso Monaco, do të flini në Itali dhe do të zgjoheni në Alpe,” thonë organizatorët, duke e përshkruar këtë udhëtim si “një përvojë që bashkon komoditetin e një udhëtimi gjatë natës me emocionin e zbulimit.”
Pasagjerët mund të zgjedhin mes dy opsioneve të udhëtimit në bord: kabina teke ose dyshe, ose vendet me shtrat (couchettes) me 4/6 shtretër.
Treni niset nga Roma Termini më 5 dhe 12 dhjetor në orën 19:57 dhe mbërrin në Mynih në orën 13:00 të ditës pasuese. Gjatë rrugës ndalon në Verona, Trento, Bolzano, Bressanone, Fortezza, Vipiteno, Colle Iarco, Brennero, Innsbruck dhe Kufstein.
Udhëtimet e kthimit më 7 dhe 14 dhjetor parashikojnë nisjen nga Mynihu në orën 13:40, me mbërritje në kryeqytetin italian mëngjesin e ditës tjetër në orën 06:33./ekofin.al
