Një hetim i nisur në vitin 2023 zbuloi se Gucci, Chloé dhe Loewe kishin imponuar politika të veta çmimesh mbi shitësit me pakicë, duke rritur çmimet e produkteve dhe duke kufizuar zgjedhjet e konsumatorëve. Gucci u godit më rëndë, me një gjobë prej 119 milionë eurosh.
Të martën, Komisioni Europian gjobiti Gucci, Chloé dhe Loewe me gjithsej 157 milionë euro për ndalimin e shitësve me pakicë që të vendosnin vetë çmimet për produktet e dizajnuara dhe shitura prej tyre — një praktikë që kufizon konkurrencën dhe cenon ligjet e BE-së për antitrustin.
“Në Evropë, të gjithë konsumatorët, çfarëdo që blejnë dhe kudo që blejnë — online apo offline — meritojnë përfitimet e konkurrencës së vërtetë të çmimeve,” tha Komisionerja Evropiane për Konkurrencën, Teresa Ribera.
“Ky vendim dërgon një sinjal të fortë për industrinë e modës dhe më gjerë se nuk do të tolerojmë praktika të tilla në Evropë — konkurrenca e ndershme dhe mbrojtja e konsumatorëve vlejnë për të gjithë në mënyrë të barabartë.”
Në praktikë, kjo do të thotë se markat kishin penguar shitësit që të ulni çmimet nën çmimin e rekomanduar, të aplikonin zbritje më të thella apo të vendosnin vetë periudhat e ofertave. Kjo kufizon fleksibilitetin dhe konkurrencën mes tregtarëve, online apo fizikë, duke mbajtur “dyshemenë e çmimeve” artificialisht të lartë.
Komisioni zbuloi se të tre markat kishin zbatuar skema që ua hiqnin shitësve të pavarur të drejtën e përcaktimit të çmimeve për pothuajse të gjithë gamën e tyre të produkteve — veshje, produkte lëkure, këpucë dhe aksesorë. Shitësit udhëzoheshin të mos devijonin nga çmimet “e rekomanduara”, të kufizonin zbritjet dhe të respektonin periudhat e shitjeve të diktuara nga marka. Në disa raste, zbritjet ndaloheshin plotësisht, ndërsa kompanitë monitoronin zbatimin dhe ushtronin presion ndaj shitësve që nuk bindeshin.
Markat e luksit dhe ato të nivelit të lartë mbështeten shumë tek imazhi prestigjioz i produkteve të tyre — një palë çizme Chloé apo një çantë Loewe përfaqësojnë një simbol statusi. Prandaj, nëse shitësit e ulin çmimin vetë, markat pretendojnë se dëmtohet imazhi i tyre.
Gucci, më e ndëshkuara
Sipas autoritetit antitrust të BE-së, ndalimi i shitësve për të vendosur lirshëm çmimet redukton konkurrencën midis tyre dhe shkel parimin themelor të BE-së për konkurrencë të lirë dhe të pandistortuar në tregun e brendshëm, me synim t’u japë konsumatorëve më shumë zgjedhje — dhe çmime më të ulëta.
Hetimi, i nisur në vitin 2023 me inspektime në selitë e kompanive, zbuloi gjithashtu se Gucci, Chloé dhe Loewe kërkonin të mbronin shitjet e tyre nga konkurrenca e vetë tregtarëve. Gucci madje ndaloi disa shitës që të shisnin online një linjë të caktuar produktesh.
Komisioni vendosi të veprojë njëkohësisht ndaj tre markave, pavarësisht se janë të pavarura nga njëra-tjetra, pasi praktikat e paligjshme ndodhën në periudhën 2015–2023 dhe shumë nga shitësit e përfshirë tregtonin produkte nga të tria markat.
Gucci, Chloé dhe Loewe e ndërprenë politikën e tyre të çmimeve ndaj shitësve sapo nisi hetimi. Gjobat u llogaritën sipas udhëzimeve të BE-së të vitit 2006, duke marrë parasysh rëndësinë, kohëzgjatjen, përhapjen gjeografike dhe vlerën e shitjeve të përfshira.
Të tria kompanitë përfituan ulje të dënimeve për bashkëpunim gjatë procedurës: Gucci dhe Loewe morën ulje me 50%, Chloé mori ulje me 15%.
Në detaje, gjobat ishin: Gucci – €119 milionë, Chloé – €19 milionë, ndërsa Loewe – €18 milionë.
Vendimi gjithashtu u jep fuqi konsumatorëve dhe rivalëve: çdo person apo kompani e dëmtuar mund të padisë për dëmshpërblim në gjykatat kombëtare, me vendimin përfundimtar të Komisionit si provë ligjërisht e detyrueshme që sjellja ka ndodhur dhe ishte e paligjshme.
Sipas Direktivës së BE-së për Dëmet nga Antitrusti, procedurat për dëme janë lehtësuar përmes transparencës dhe llogaritjes së dëmit, duke e bërë më të lehtë marrjen e kompensimit.
Pra, nëse mendoni se keni paguar shumë për një çantë Loewe Puzzle Bag në një dyqan para vitit 2023, mund të konsideroni ngritjen e një padie për të kërkuar kthimin e një pjese të parave tuaja./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
