Raporti më i fundit i Bankës Botërore për zhvillimet ekonomike në Ballkanin Perëndimor tregon se, ndërsa ritmi i rritjes së punësimit është ngadalësuar në gjithë rajonin, Shqipëria vijon të mbajë pozicionin e parë për normën më të lartë të punësimit midis vendeve të WB6.
Në gjysmën e parë të vitit 2025, norma e punësimit në Shqipëri (mosha 15+) arriti 58.3%, duke tejkaluar mesataren e BE27 (54.5%). Ky nivel mbeti i pandryshuar krahasuar me një vit më parë, pasi si punësimi, ashtu edhe popullsia në moshë pune ranë me 0.9% në baza vjetore. Megjithatë, vendi mbetet dukshëm mbi fqinjët: Mali i Zi renditet i dyti me 53.8%, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Serbia variojnë nga 46.3% në 51.4%, dhe Kosova e Bosnja mbeten në fund me 39.2%–42.4%.
Ndërkohë, norma e papunësisë në rajon zbriti me 0.5 pikë përqindje, në 10.5% gjatë gjashtëmujorit të parë të 2025-ës. Shqipëria shënoi nivelin më të ulët të papunësisë në Ballkanin Perëndimor – 8.6%, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina mbetet më e larta me 13.3%.
Rënia më e madhe në bujqësi
Sipas raportit, bujqësia është sektori më i prekur në gjithë rajonin, me një rënie mesatare prej 3.5% në gjysmën e parë të vitit. Shqipëria regjistroi rënien më të thellë, -8.4%, për shkak të emigracionit të vazhdueshëm, plakjes rurale, fragmentimit të fermave dhe kostove të larta të inputeve bujqësore si plehrat kimike.
Në kontrast, Maqedonia e Veriut ishte përjashtim me një rritje të fortë +15.3%, e lidhur edhe me rritjen e punësimit informal, i cili u zgjerua me 16% gjatë vitit 2024 pas pesë vitesh rënie.
Zhvendosje drejt sektorit të shërbimeve
Sipas raportit, struktura e tregut të punës po ndryshon ndjeshëm në gjithë rajonin, me një rritje të punësimit në sektorin e shërbimeve dhe humbje të vendeve të punës në bujqësi e industri.
Në Shqipëri, ndonëse numri total i të punësuarve ra, punësimi në sektorin e shërbimeve u rrit me 6.3% në baza vjetore, rritja më e fortë në rajon. Ky zgjerim u mbështet nga administrata publike, turizmi dhe eksportet e shërbimeve, që kanë qenë një shtyllë e qëndrueshme e rritjes.
Në krahasim, Maqedonia e Veriut shënoi rritje të shërbimeve me 5.6%, kryesisht në tregti me shumicë e pakicë, TIK dhe shërbime private, ndërsa Serbia dhe Bosnja u karakterizuan nga një zhvendosje më e ngadaltë (0.7–1.4%).
Ndërtimi – sektor mbështetës për punësimin
Megjithë ngadalësimin e përgjithshëm të punësimit, sektori i ndërtimit mbetet një “taban i fortë” për vendet e rajonit, sidomos në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, falë projekteve infrastrukturore dhe rritjes së investimeve publike kapitale.
Raporti i Bankës Botërore nënvizon se Shqipëria mbetet pika e fortë e tregut të punës në Ballkanin Perëndimor, me norma punësimi dhe papunësie më të favorshme se fqinjët. Por, prirjet demografike, emigracioni, plakja e popullsisë dhe tkurrja e forcës punëtore paraqesin sfida strukturore që kërkojnë politika të qëndrueshme punësimi në vitet në vijim. /ekofin.al
