Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të hënën refuzoi të mbrojë Google nga një urdhër që daton prej një viti dhe që kërkon ristrukturim të madh të dyqanit të aplikacioneve Android (Play Store), me qëllim të hapjes së tregut ndaj konkurrencës kundër një sistemi që një juri e kishte shpallur monopol të paligjshëm.
Ky vendim, i dhënë në vetëm një fjali nga Gjykata e Lartë, do të thotë se Google duhet së shpejti të nisë ndryshime të thella në Play Store, që shërben si platforma kryesore për aplikacionet në sistemin operativ Android — softueri që fuqizon shumicën e smartfonëve që konkurrojnë me iPhone-in e Apple në tregun amerikan.
Ndër ndryshimet e urdhëruara, gjykatësi federal James Donato kërkoi në tetor të vitit të kaluar që Google t’u japë konkurrentëve akses të plotë në inventarin e aplikacioneve Android, si dhe t’i bëjë të disponueshme për shkarkim edhe nga vetë Play Store alternativat e tyre.
Në paraqitjen ligjore muajin e kaluar, Google paralajmëroi Gjykatën e Lartë se ky urdhër “do t’i ekspozonte mbi 100 milionë përdorues amerikanë të Play Store ndaj rreziqeve të mëdha të sigurisë, duke mundësuar përhapjen e dyqaneve që përmbajnë përmbajtje keqdashëse, mashtruese ose të piratuar”.
Kompania theksoi gjithashtu se kishte afat deri më 22 tetor për të filluar zbatimin e urdhrit nëse Gjykata e Lartë nuk pranonte kërkesën e saj për pezullim. Google kërkonte mbrojtje ligjore ndërsa përpiqej për herë të fundit të rrëzonte vendimin e jurisë së dhjetorit 2023, i cili e shpalli Play Store si monopol abuziv.
Në një deklaratë zyrtare, Google tha se do të vazhdojë betejën në Gjykatën e Lartë, por se do t’i përmbahet urdhrit që e konsideron problematik.
“Ndryshimet e urdhëruara nga Gjykata Federale do të vënë në rrezik sigurinë e përdoruesve gjatë shkarkimit të aplikacioneve,” paralajmëroi kompania.
Google kishte qenë e mbrojtur përkohësisht nga urdhri gjatë përpjekjeve për ta anuluar, por Gjykata e Apelit e Qarkut të Nëntë (Ninth Circuit) e rrëzoi këtë kërkesë dy muaj më parë.
Padi e nisur nga Epic Games
Çështja kundër Google nisi nga kompania e video-lojërave Epic Games, e cila ngriti padi në vitin 2020, duke akuzuar Play Store për praktika monopoliste që gjeneronin miliarda dollarë në fitime përmes komisioneve prej 15–30% për çdo pagesë brenda aplikacioneve. Gjatë gjyqit njëmujor në San Francisko, juria arriti në përfundimin se Google kishte përdorur sjellje abuzive për të mbajtur kontroll ekskluziv mbi sistemin e pagesave në Android.
Epic Games, krijuesi i lojës Fortnite, kishte ngritur më parë një padi të ngjashme ndaj Apple, por e humbi. Edhe pse gjykatësja federale Yvonne Gonzalez-Rodgers vendosi se App Store i Apple nuk përbënte monopol të paligjshëm, ajo gjithsesi urdhëroi Apple të lejojë lidhje drejt sistemeve alternative të pagesave — një ndryshim që më vonë çoi kompaninë në shkelje civile të urdhrit të gjykatës më herët këtë vit.
CEO i Epic, Tim Sweeney, e përshëndeti vendimin e Gjykatës së Lartë amerikane, duke thënë se ai “u hap rrugën konsumatorëve që të zgjedhin mënyra alternative pagese pa tarifa, paralajmërime frikësuese dhe pengesa artificiale”.
Pasojat për Google dhe sektorin e teknologjisë
Ndryshimet në Play Store pritet të godasin fitimet e Google, por kompania vijon të mbështetet te rrjeti i saj gjigant i reklamave digjitale dhe motori i kërkimit, që përbëjnë shtyllat e perandorisë së saj online — të dyja nën hetim nga autoritetet amerikane për praktika monopoliste.
Në çështje të tjera të ngritura nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, si motori i kërkimit ashtu edhe teknologjia e reklamave të Google janë shpallur monopole të paligjshme.
Në një vendim të mëparshëm këtë vit, një gjykatës federal refuzoi kërkesën e Departamentit të Drejtësisë për ndarjen e Google, duke i dhënë kompanisë një frymëmarrje të përkohshme.
Megjithatë, qeveria amerikane tashmë kërkon ndarjen e Google në çështjen që lidhet me teknologjinë e reklamave — proces që pritet të mbyllet me argumentet përfundimtare më 17 nëntor, në shtetin e Virxhinias./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
