Në ditën më të ngarkuar, 25 mijë vizitorë paguan tarifën ditore, një numër mbresëlënës, i barabartë me më shumë se gjysmën e popullsisë rezidente.
Në fund të korrikut përfundoi viti i dytë i provës së kësaj takse. Për 54 ditë në prill, maj, qershor dhe korrik, turistët që qëndronin vetëm një ditë në qytetin e kanaleve duhej të rezervonin vizitën e tyre dhe, përveç nëse përjashtoheshin, të paguanin një tarifë. Qëllimi i kësaj pagese ishte të kufizonte turizmin “hyr e dil” që shpesh e mbingarkon qytetin gjatë muajve më të frekuentuar dhe sjell pak përfitime për banorët.
“Sipas të dhënave fillestare, edhe pse ende provizore, sistemi ka treguar pjekuri dhe është i aftë të japë përgjigjet e para për objektivat e rregullimit të flukseve turistike dhe sigurimin e një kontributi të drejtë mes vizitorëve ditorë dhe atyre me qëndrim”, tha Këshilli Bashkiak i Venecias në një deklaratë.
Megjithatë, shifrat e këtij viti tregojnë se numri i vizitorëve ditorë ka rënë vetëm pak krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa në ditët kulmore arriti deri në gati 25 mijë turistë – sa gjysma e popullsisë së qytetit.
Këtë vit, vizitorët që rezervuan më pak se katër ditë përpara duhej të paguanin dyfishin (€10 në vend të €5), në përpjekje për të dekurajuar rezervimet e minutës së fundit dhe për të ndihmuar autoritetet në rregullimin e flukseve. Por të dhënat tregojnë se gati gjysma e vizitorëve pagoi tarifën e dyfishtë.
5.4 milionë euro të ardhura në 2025
Në total, 723,497 vizitorë paguan tarifën ditore këtë vit, duke sjellë një të ardhur prej €5,421,425. Kjo është gati dyfishi i vitit 2024, kur u regjistruan 485,062 pagesa me vlerë rreth €2.4 milionë, por atëherë tarifa u aplikua vetëm për 29 ditë.
Këtë vit, 51% e vizitorëve rezervuan më herët dhe paguan €5, ndërsa 49% paguan tarifën e dyfishtë prej €10. Bashkia rriti gjithashtu kontrollet: çdo ditë u angazhuan rreth 140 inspektorë dhe u kryen mbi 445 mijë kontrolle të QR-kodit, duke konstatuar 2,500 shkelje.
A e uli taksa mbingarkesën turistike?
Mesatarja ditore e vizitorëve që paguan tarifën ishte pak më e ulët se një vit më parë: 13,046 në vitin 2025 krahasuar me 16,676 në 2024. Kjo përputhet edhe me rënien e përgjithshme të turizmit në rajon, sipas Zyrës së Statistikave Rajonale.
Dita më e ngarkuar ishte e premte, 2 maj, kur paguan 24,951 vizitorë. Për ata që kërkojnë të shmangin turmat, të dhënat e tarifës ofrojnë tregues të vlefshëm: ashtu si një vit më parë, e shtuna ishte dita me më shumë pagesa, e ndjekur nga e premtja dhe e diela.
Si do të përfitojnë banorët?
Megjithëse tarifa nuk ka dekurajuar ndjeshëm vizitorët në ditët kulmore, Këshilli Bashkiak pretendon se të ardhurat do të investohen në shërbime për komunitetin. Pas zbritjes së kostove të menaxhimit, “të paktën 1.5 milionë euro” do të përdoren për të ulur taksën e mbetjeve për banorët.
Për shumë kundërshtarë, kjo taksë mbetet një dështim, pasi nuk ka arritur ta bëjë qytetin më të jetueshëm, me rrugicat dhe varkat publike po aq të mbushura sa më parë.
“Është e qartë: eksperimenti nuk funksionoi. Tarifa e hyrjes, e paraqitur si një mjet për të menaxhuar flukset turistike, nuk solli asnjë ulje të ndjeshme të hyrjeve”, tha për median lokale Monica Sambo, këshilltare e Partisë Demokratike. “Madje, vetë bashkia pranon se në disa ditë numri i vizitorëve është rritur. Është e qartë që kjo masë nuk ka lidhje me qeverisjen e qytetit.”
Kundërshtarët kërkojnë politika që inkurajojnë ripopullimin e qendrës historike të Venecias, e cila prej dekadash humbet banorë drejt tokës kontinentale më praktike, përfshirë edhe kufizime mbi qiratë afatshkurtra.
Sot në qendër historike ka më shumë shtretër për turistët sesa banorë, numri i të cilëve ka zbritur në nivelin më të ulët historik prej 48,500./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
