Udhëtimi përmes aeroporteve portugeze do të bëhet sërish më i vështirë. Dy sindikata të Menzies, kompanisë përgjegjëse për shërbimet teknike kanë shpallur një valë të re grevash që do të zgjasë deri në fillim të vitit 2026.
Në total janë planifikuar 76 ditë greve mes tani dhe janarit të ardhshëm, duke synuar data kyçe si fundjavat e gjata, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Priten vonesa dhe ndërprerje të udhëtimeve gjatë muajve në vijim. Grevat janë shpallur nga SIMA (Sindikatat e Punëtorëve të Industrive të Metalit dhe të Ndërlidhura) dhe nga Sindikata e Transportit (STA). E para nga seria e grevave filloi të mërkurën, më 3 shtator, dhe do të zgjasë deri të martën, më 9 shtator. Greva e fundit pritet të përfundojë më 2 janar 2026.
Punonjësit kërkojnë fundin e pagave bazë nën nivelin e pagës minimale, paga më të mira dhe respektimin e pagesës për orët e natës, ndër të tjera.
Shërbime minimale të detyruara
Gjykata e Arbitrazhit të Këshillit Ekonomik e Social të Portugalisë dekretoi shërbime minimale në aeroporte, një vendim i kritikuar gjerësisht nga sindikatat, përfshirë SIMA-n. Sipas saj, ky vendim i detyron të sigurojnë rreth 80% të operacioneve normale.
“Ata e quajnë minimum, por është paturpësia më e madhe, duke e kthyer grevën në një farsë të inskenuar për të mbrojtur kompaninë dhe për të poshtëruar punëtorët,” shtoi sindikata.
Kjo valë e fundit grevash pason ato të zhvilluara në korrik dhe gusht. Sindikatat pezulluan grevat e planifikuara për fundin e muajit të kaluar pas diskutimeve me Ministrinë e Punës. Menzies mohoi se ishte arritur ndonjë progres.
Sindikata theksoi se anulimi i grevave të fundit “nuk ishte rezultat i asnjë marrëveshjeje, negociate apo koncesioni” dhe përsëriti se pozicioni i saj mbetet i pandryshuar.
Ndërkohë, SIMA denoncoi “mënyrën e papranueshme me të cilën drejtuesit e SPdH/Menzies dhe CEO i TAP kanë zhvilluar përpjekjet e fundit për dialog.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al
