Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një seri vendimesh për lirim nga detyra të tre zëvendësministrave në kabinetin qeveritar. Vendimet u propozuan nga Kryeministri Edi Rama dhe hynë në fuqi menjëherë pas miratimit, me publikimin në Fletoren Zyrtare.
Emrat e shkarkuar janë Ilva Gjuzi, zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, Ceno Klosi, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Romina Kuko, zëvendësministre e Brendshme.
Vendimet mbështeten në nenin 100 të Kushtetutës dhe në ligjin nr. 9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, që i jep të drejtë Kryeministrit të propozojë shkarkime dhe emërime të reja në nivelet drejtuese të ekzekutivit.
Shkarkimi i tre zëvendësministrave vjen pasi të tre morën mandatin e deputetit në zgjedhjet e fundit.
Ndërkohë priten ndryshime dhe shpallja e përbërjes së kabinetit të ri në datën 11 shtator ora 10:00 kur do të mblidhet Asambleja Socialiste.
