Skelete kullash rezidenciale në periferi të Pekinit, dritare të pamontuara në lagjet e reja të Shenzhen-it, sheshe betoni të braktisura në erë në provincën Henan. Janë monumenti i zymtë i perëndimit të Evergrande, ndërtuesit më të madh privat të Kinës, i zhdukur nga lista e Hong Kongut nën peshën e papërballueshme të mbi treqind miliardë dollarëve borxhe. Nuk është thjesht kronika e një falimenti të zakonshëm, por dorëzimi zyrtar i një modeli zhvillimi që për një çerek shekulli mbajti të dytën ekonomi të botës: rritja përmes ndërtimit, kthimi i banesës në investimin e vetëm të sigurt, shtyrja e urbanizimit deri aty sa ndërtimet të përbënin një të tretën e produktit të brendshëm bruto.
Nga rritja marramendëse te kriza
Historia e Evergrande nisi me urbanizimin e shpejtë që shënoi Kinën që nga vitet ’90. Miliona njerëz u zhvendosën nga fshatrat në qytete dhe kërkesa për banesa të reja shpërtheu. Kur grupi u listua në bursën e Hong Kongut në vitin 2009, mblodhi miliarda dhe u imponua si simboli i Kinës urbane e të pasur. Brenda më pak se dhjetë vitesh, vlera e bursës u pesëfishua dhe kompania zgjeroi aktivitetin shumë përtej ndërtimit: nisi një markë makinash elektrike, investoi në turizëm, shëndetësi private e madje edhe në futboll, duke blerë Guangzhou FC dhe duke e kthyer në skuadrën më fituese të vendit.
Por ajo rritje u mbështet tërësisht mbi borxhin. Evergrande bleu toka duke u financuar me kredi, shiti apartamente para se t’i ndërtonte për të siguruar likuiditet dhe akumuloi një ekspozim prej mbi treqind miliardë dollarësh. Në vitin 2020, Pekini vendosi rregulla të reja – të ashtuquajturat “tre linjat e kuqe” – për të frenuar borxhet dhe stabilizuar sektorin. Që nga ai moment, makineria u bllokua: kompania nuk mund të rifinancohej më, kreditorët nisën të tërhiqeshin dhe kantierët ngadalësuan. Pandemia dhe rënia e kërkesës për shtëpi e përkeqësuan krizën, duke e kthyer blerjen e një apartamenti nga premtim sigurie në kurth financiar për miliona familje.
Projekte të papërfunduara dhe familje të bllokuara
1,300 projektet e papërfunduara në 280 qytete u shndërruan në “ekomonstrume”: lagje të tëra të mbetura përgjysmë, pallate të ngritura pa sisteme funksionale, familje që kishin paguar dhjetëra mijëra dollarë në depozita dhe kredi, e që sot kanë vetëm një kontratë në letër, por jo një banesë. Në Kinë, blerja e një apartamenti shpesh ndodh para ndërtimit: kursimet e familjeve financojnë kantierin. Kur projekti bllokohet, atyre u mbetet vetëm një borxh për bankën dhe një kantier bosh para syve. Në shumë raste, familjet ndaluan pagesat e kredive në shenjë proteste, duke e thelluar më tej krizën e kreditit.
Efekt zinxhir mbi ekonominë
Bllokimi u reflektua zinxhir te industritë ndihmëse. Kompanitë e çimentos, çelikut, qelqit, instalimeve elektrike, agjencitë imobiliare dhe shoqëritë e mobilimit panë të zhduken kontrata miliardëshe. Në këto sektorë punojnë dhjetëra miliona njerëz, për të cilët ngadalësimi solli pushime nga puna dhe ulje pagash. Ndërkohë, investitorët, si kinezë ashtu edhe ndërkombëtarë, panë që titujt e tyre u kthyen në letër pa vlerë. Përballë 45 miliardë dollarëve kërkesa, likuiduesit kanë rikuperuar deri tani vetëm 255 milionë duke shitur asete dytësore: mes tyre një tablo të Monet-it, makina luksoze dhe karta anëtarësie në klube. Për bankat dhe fondet që kishin investuar te ndërtimi kinez, humbja është pothuajse totale.
Pasojat sistemike
Tronditja është sistemike. Për dekada, qeveritë lokale financuan shkolla, rrugë dhe spitale duke shitur toka te zhvilluesit: rritja e ndërtimit ishte themeli i financave publike. Sot ajo burim është tharë dhe bilancet bashkiake janë në vështirësi, me rrezikun e shkurtimeve të shërbimeve. Rënia e çmimeve të banesave ka gërryer pasurinë e familjeve urbane. Me më pak vlerë në shtëpi, konsumatorët shpenzojnë më pak dhe kursejnë më shumë, duke e dobësuar edhe më tej ekonominë e brendshme. Stoku i shtëpive të pashitura është tashmë më shumë se dyfish i mesatares historike; kantierët e rinj janë rrëzuar me një të pestën vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2025.
Rënia e vazhdueshme e çmimeve e gërryen edhe më tej besimin e blerësve dhe e bën më të vështirë për ndërtuesit të rikuperojnë shpenzimet. Grupi të mëdhenj ende aktivë, si Country Garden dhe China South City, janë futur në një zonë gri: mes përpjekjeve për ristrukturim dhe urdhrave për likuidim, rreziku që të ndjekin fatin e Evergrande është real. Rezultati është një zinxhir i tërë ekonomik që po thyhet dhe një sektor që nga lokomotivë e rritjes është shndërruar në barrë./Përshtati nga Linkiesta, ekofin.al
