Vendit tonë i janë miratuar 3 projektet e para që do të financohen nga na Bashkimi Evropian. Bëhet fjalë për 3projete të rëndësishme në energji që do të financohen përmes planit të ri të rritjes ekonomike me 32 mln euro.
32 milionë euro të tjera grant do të përfitojë Shqipëria nga plani i rritjes së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Bëhet fjalë për financimin e tre projekteve në sistemin energjetik që do të financohen përmes Kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Rreth 13.6 mln euro vendi ynë do t’i marrë si grant për projektin e “Digjitalizimi i sistemit të transmetimit të energjisë” që përfshin 40 nënstacione të tensionit të lartë në gjithë vendin, duke rritur kështu kapacitetin e rrjetit dhe duke ulur humbjet. Fondet për Shqipërinë janë miratuar në 27 qershor të 2025-ës, ndërsa projekti pritet të përfundojë pas 6 vitesh, më 28 mars të 2031-shit.
Projekti i dytë është linja Rrashbull-Tiranë. Bëhet fjalë për ndërtimin e një linje të re të transmetimit të energjisë në 400 kv, që lidh nënstacionet Fier-Hoxharë-Rrashbull rreth 78 km e gjatë, përforcimi I nënstacionit të Fierit dhe instalimi i një transformatori të dytë, Zgjerimi në 400 kV dhe përforcimi i nënstacionit të Rrashbullit dhe zgjerimi e përforcimi i nënstacionit ekzistues të Hoxharës me transformatorë të rinj. Totali i investimit kap vlerën e 80 mln eurove, prej të cilave mbi 54 mln do të jenë kredi, e pjesa tjetër investim i brendshëm dhe grante nga bashkimit europian që kapin vlerën e 8 mln eurove. Projekti pritet të përfundojë brenda këtij viti, në 24 dhjetor të 2025-ës.
Rikonstruksioni i hidrocentralit të Fierzës është projekti i tretë që do të marrë mbështetje nga Bashkimi Europian me afro 10.5 mln euro grant nga BE. Investimi synon të zgjasë jetën e hidrocentralit edhe 30 vite, duke rritur efikasitetin me 4% dhe prodhimin me 10%. Projekti është miratuar në qershor të 2025-ës dhe do të përfundojë në korrik të 2032-shit.
Përmes planit të ri të rritjes ekonomike, BE ka vënë në dispozicion të vendeve të rajonit 6 mld euro me qëllim transformimin e ekonomisë së këtyre vendeve. Plani parashikon 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi me pagesë të kushtëzuar që partnerët e Ballkanit Perëndimor të përmbushin reforma specifike socio-ekonomike./Shqiptarja.com
