Presidenti Donald Trump ka miratuar një valë të re tarifash mbi partnerët tregtarë të SHBA, duke shënuar një përshkallëzim të konsiderueshëm të tensioneve tregtare.
Tarifat e reja – dukshëm më agresive – po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët ekonomikë, që paralajmërojnë për rritje të inflacionit dhe ngadalësim të rritjes së vendeve të punës.
Cilat janë tarifat e reja?
Para të enjtes, pothuajse çdo mall i importuar në SHBA i nënshtrohej një tarife minimale prej 10%. Tani, normat ndryshojnë ndjeshëm nga një vend në tjetrin.
Tarifat më të larta janë vendosur për mallrat nga:
Brazili (50%)
Laosi (40%)
Mianmari (40%)
Zvicra (39%)
Iraku (35%)
Serbia (35%)
21 vende të tjera, përfshirë vende kyçe nga të cilat SHBA-të importojnë mallra të rëndësishme, si:
Vietnami (20%)
India (25%)
Tajvani (20%)
Tajlanda (19%)
Mallrat nga India mund të përballen me një tarifë shtesë prej 25%, për shkak të një urdhri ekzekutiv që Trump nënshkroi të mërkurën, si penalizim për blerjen e naftës nga Rusia. Kjo tarifë e dytë pritet të hyjë në fuqi më 27 gusht.
Mallrat nga 39 vende të tjera, përfshirë Bashkimin Evropian, do t’i nënshtrohen tarifave prej 15%, sipas një liste të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
Përjashtim bëjnë Kanadaja dhe Meksika, për sa kohë që mallrat janë në përputhje me marrëveshjen e tregtisë së lirë SHBA-Meksikë-Kanada. Nëse jo:
Mallrat nga Meksika tarifohen me 25%
Mallrat nga Kanadaja me 35% (nga 25% më parë)
Çfarë po ndodh me marrëveshjet tregtare?
Në shumicën e rasteve, këto nuk janë marrëveshje të plota tregtare, por më shumë skica paraprake, të cilat mund të kërkojnë muaj apo edhe vite për t’u finalizuar – nëse nuk dështojnë.
Në pesë muajt e fundit, Trump ka njoftuar tetë marrëveshje tregtare. Vetëm dy janë zyrtarizuar – me Mbretërinë e Bashkuar dhe Kinën. Marrëveshja me Kinën, e cila uli tarifat mes dy vendeve, skadon më 12 gusht. Nëse nuk merret veprim, tarifat mund të rikthehen në nivelet e mëparshme.
