Qendra Kombëtare e Biznesit njofton se 31,000 subjekte kanë realizuar dorëzimin e bilanceve brenda afatit ligjor, 31 korrik 2025. Procesi i dorëzimit online përmes e-Albania, i cili realizohet tashmë prej disa vitesh u shoqërua me vështirësi, ngecje të sistemit dhe problematika. Kjo solli edhe reagimin e shoqatave dhe përfaqësuesve të bizneseve, siç ishte Aleanca e Profesionistëve të Lirë që kërkoi marrjen e masave për t’i dhënë zgjidhje situatës.
Sipas APL, ngecja e sistemit dhe problemet shkaktojnë kohë të humbur, por edhe rrezikuan bizneset të mos i dorëzonin bilancet në kohë.
Ndërsa QKB njoftoi se dorëzimi i 31 mijë bilanceve shënonte një nga performancat më të larta të viteve të fundit.
Sipas autoriteteve, kjo nënkupton se mbi 90% e bilanceve u dorëzuan brenda afatit, duke tejkaluar ndjeshëm vitet pararendëse: 2024 – 28,200 bilance të dorëzuara në afat; 2023 – 26,000 bilance të dorëzuara në afat; 2022 – 20,700 bilance të dorëzuara në afat
QKB thekson më tej se “ky progres pasqyron një ndërgjegjësim më të madh të bizneseve për detyrimet ligjore dhe përdorimin në rritje të shërbimeve online të QKB-së.” Por, eksperienca këtë vit e tregoi se nuk është thjesht çështje ndërgjegjësimi, por edhe mundësi. Nëse sistemi nuk funksionon, kjo e pamundëson dorëzimin sipas afateve.
Rezulton që për 10% të bixneseve që nuk e kanë dorëzuar bilancin në afat, të aplikohen gjoba prej 60,000 lekësh. /ekofin.al
