Pajisje të reja për kontrollin e sigurisë do t’u mundësojnë udhëtarëve të marrin me vete shishe më të mëdha, por jo në të gjitha aeroportet e Europës.
Pajisjet e sigurisë në aeroporte, të afta të skanojnë përmbajtjen e kontejnerëve të mëdhenj me lëngje, pritet të vendosen së shpejti në mbarë Bashkimin Europian. Kjo do të thotë se udhëtarët nuk do të kenë më nevojë të sigurohen që nuk mbajnë me vete shishe me më shumë se 100 ml gjatë udhëtimeve.
Komisioni Europian e konfirmoi për Euronews se ky ndryshim, i raportuar fillimisht nga gazeta italiane Il Corriere della Sera, është në proces.
Sipas rregullave aktuale të BE-së, lëngjet, aerosolët dhe xhelet (LAG) në bagazhet e dorës duhet të jenë në kontejnerë me jo më shumë se 100 ml, përjashtuar rastet e dietave të veçanta, produkteve për fëmijë dhe ilaçeve, pasi pajisjet tradicionale të kontrollit, si rrezet X, nuk janë efektive në zbulimin e lëndëve shpërthyese të lëngshme.
Por tashmë janë në dispozicion sisteme të reja për zbulimin e eksplozivëve në bagazhet e kabinës, të cilat janë instaluar në disa aeroporte të BE-së – për shembull në Romë dhe Milano – dhe që do t’u lejonin udhëtarëve të marrin me vete kontejnerë me përmbajtje më të madhe se 100 ml.
Megjithatë, për arsye teknike, Komisioni Europian vendosi një kufizim të përkohshëm mbi përdorimin e këtyre sistemeve të reja gjatë verës së kaluar, çka bëri që rregulli prej 100 ml të mbetej në fuqi.
Që atëherë, Komisioni ka punuar me Konferencën Evropiane të Aviacionit Civil (ECAC) për të zhvilluar zgjidhje teknike të përshtatshme. Një zgjidhje e tillë e testuar me sukses u miratua nga ECAC në qershor 2025. Tani, u takon prodhuesve të pajisjeve të paraqesin sistemet e tyre për testim. Pasi pajisja të marrë miratimin e ECAC-it, ajo mund të certifikohet për përdorim në BE, duke lejuar kontrollin e kontejnerëve me më shumë se 100 ml lëng.
Pas këtij miratimi, pajisjet mund të vendosen për përdorim në aeroporte, gjë që mund të ndodhë “në ditët në vijim”, sipas një zëdhënësi të Komisionit.
ECAC nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga Euronews.
Megjithatë, jo të gjitha aeroportet e BE-së janë të pajisura me këto sisteme të reja për zbulimin e eksplozivëve, të cilat janë përgjithësisht më të kushtueshme se pajisjet tradicionale të kontrollit.
Sipas Corriere della Sera, shtatë terminale në Itali kanë tashmë këtë sistem në dispozicion. Aeroporte të tjera në Gjermani, Irlandë, Lituani, Maltë, Suedi dhe Holandë mund të adoptojnë teknologjinë pas miratimit përfundimtar./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
