Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po i afrohen arritjes së një marrëveshjeje tregtare dhe tarifore, raportuan disa media të mërkurën, edhe pse BE-ja po përgatit një paketë të mundshme hakmarrjeje që do të përfshijë mallra amerikane me vlerë mbi 100 miliardë dollarë.
Financial Times raportoi se marrëveshja do të parashikojë tarifa amerikane ndaj importeve nga BE në nivelin 15%, në vend të 30% që Presidenti Trump ka kërcënuar të vendosë nga 1 gushti. Bloomberg raportoi se kjo normë tarifore prej 15% do të zbatohet për “shumicën e produkteve”.
Një marrëveshje e tillë do të ishte e ngjashme me atë që Trump shpalli të martën me Japoninë, e cila përfshin një tarifë 15% për mallrat e importuara, ndërkohë që Japonia do të investojë 550 miliardë dollarë në SHBA.
Më herët të martën, Trump tha gjithashtu se SHBA kishte arritur një marrëveshje tregtare edhe me Filipinet, sipas së cilës importet nga ky vend do të përballen me një tarifë 19% në SHBA. Trump shtoi se eksportet amerikane nuk do të përballen me asnjë taksë doganore në Filipine si pjesë e marrëveshjes.
Shtëpia e Bardhë bëri gjithashtu publike detaje të reja për një marrëveshje të konfirmuar tregtare me Indonezinë. Sipas Ben Werschkul nga Yahoo Finance, do të aplikohet një tarifë prej 19% për mallrat indoneziane, si dhe një normë 40% për çdo mall që “transportohet përmes vendeve të treta”. Zyrtarët amerikanë thanë se nuk do të ketë asnjë taksë për “99%” të importeve amerikane.
Zhvillimet rreth këtyre marrëveshjeve ndodhin ndërkohë që perspektivat për marrëveshje më të mëdha me Indinë dhe Kanadanë mbeten të pasigurta. Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa nga 25% deri në 35% ndaj këtyre partnerëve të mëdhenj tregtarë.
Trump ka deklaruar gjithashtu se së shpejti do t’u dërgojë letra mbi 150 partnerëve më të vegjël tregtarë të SHBA-së, duke vendosur norma tarifore të përgjithshme për këtë grup të madh. Ai tashmë ka dërguar letra më shumë se 20 partnerëve tregtarë, ku përcaktohen tarifat për mallrat e importuara nga vendet e tyre.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, të martën u shpreh se priste që shumë marrëveshje të merrnin formë gjatë ditëve në vijim./Përshtati nga Yahoo News Finance, ekofin.al

