Paga minimale në Serbi (e njohur si minimalac) do të rritet në 500 euro, ose 58,630 dinarë, duke filluar nga 1 tetori i këtij viti, sipas një vendimi të marrë në mbledhjen e Këshillit Ekonomik dhe Social (SES).
Gjatë sesionit të 124-të të rregullt, u mor një vendim unanim për rritjen e jashtëzakonshme të pagës minimale, e cila do të rritet me 9.4 për qind, duke kaluar për herë të parë pragun e 500 eurove. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave, Siniša Mali, deklaroi se kjo rritje do ta çojë pagën minimale nga 53,592 në 58,630 dinarë, ose nga 450 euro në 500 euro.
“Kjo rritje u iniciua nga Qeveria e Serbisë. Gjithashtu kemi përmbushur premtimin e presidentit Aleksandar Vučić që këtë vit do ta përmbyllim me rritje të pagës minimale,” tha Mali, duke shtuar se paga për orë do të rritet nga 308 në 337 dinarë.
Ai shtoi se është hapur edhe diskutimi për një tjetër rritje të pagës minimale nga 1 janari 2026, me një propozim për rritje prej 10.1 për qind nga ana e Qeverisë serbe.
“Me këtë rritje, paga minimale nga janari 2026 do të arrijë në 550 euro. Negociatat për këtë çështje do të nisin në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit,” theksoi ai.
Kujtojmë se është paraqitur një propozim për dinamikën e rritjes së pagës minimale, i cili parashikon rritjen në dy faza — në tetor 2025 dhe janar 2026 (vendimi për fazën e dytë do të merret në gusht).
Aktualisht, paga minimale në Serbi është 53,592 dinarë, ose 457 euro, pas një rritjeje prej 13.7% në janar të këtij viti. Objektivi i qeverisë është që paga minimale të arrijë në 651 euro deri në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028./Përshtati nga Nin.rs, ekofin.al
