Kryeministri i Francës, François Bayrou, ka paraqitur një plan për të shkurtuar 43.8 miliardë euro nga buxheti kombëtar, duke paralajmëruar se borxhi përbën një “rrezik vdekjeprurës” për vendin. Shkurtimet përfshijnë reduktimin e numrit të të punësuarve në shërbimin civil dhe vendosjen e një të ashtuquajture “kontribut solidariteti” për “më të pasurit”, si dhe heqjen e lehtësirave tatimore për shpenzimet e bizneseve për pensionistët. Ai gjithashtu propozoi heqjen e dy festave publike, duke përmendur të Hënën e Pashkëve dhe 8 Majin si mundësi për t’u anuluar. Sipas Bayrou, kjo do të mundësonte rritjen e produktivitetit pa rritur taksat apo TVSH-në.
Data 8 Maj ka rëndësi historike në Francë dhe në të gjithë Evropën, pasi përkujton dorëzimin e Gjermanisë naziste në vitin 1945 dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë. “Është ndalesa e fundit përpara greminës, përpara se të shtypemi nga borxhi,” tha Bayrou para deputetëve, duke theksuar se borxhi po rritet me 5,000 euro çdo sekondë. “Është vonë, por ende ka kohë,” shtoi ai.
Ai paralajmëroi se francezët nuk duhet të harrojnë krizën financiare që përjetoi Greqia më shumë se një dekadë më parë, kur iu deshën disa paketa shpëtimi ndërkombëtare dhe vite të tëra masash shtrënguese për t’u rikuperuar. Deficiti publik i Francës arriti në 5.8% të PBB-së në vitin 2024, në një total prej 168.6 miliardë eurosh, një shifër që tejkalon ndjeshëm kufirin maksimal të lejuar nga rregullat e BE-së.
Në njoftimin e tij, Bayrou përshkroi shkurtime të mëdha buxhetore me synimin për të ulur deficitin në 5.4% të PBB-së këtë vit dhe në 4.6% në vitin 2026. Ai shpreson që këto masa të çojnë deficitin nën pragun 3% të vendosur nga BE deri në vitin 2029.
Presidenti Emmanuel Macron i ka ngarkuar kryeministrit të tij detyrën për të rregulluar financat publike me buxhetin e vitit 2026, pas zgjedhjeve të parakohshme që ai thirri vitin e kaluar, të cilat prodhuan një parlament të bllokuar, tepër i ndarë për të përballuar shpenzimet në rritje. Në përputhje me rekomandimet e Macron dhe duke përmendur situatën në Ukrainë dhe rajonin Indo-Paqësor, Bayrou tha se nuk do të ketë shkurtime në buxhetin për mbrojtjen kombëtare. Përkundrazi, 3.5 miliardë euro do të përfshihen në buxhetin e vitit 2026, dhe edhe 3 miliardë të tjera në atë të vitit 2027. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
