Franca është paralizuar nga greva e kontrollorëve të tranaportit ajror. Mbi 40% e fluturimeve janë prekur duke u shtyrë ose duke u anuluar. Kjo ka prekur edhe fluturimet nga Shqipëria. Për këtë arsye kompania ajrore low cost që operon me fluturme direkte me Parisin, Wizz Air ka nxjerr dhe një njoftim për pasagjerët.
“Wizz Air informon pasagjerët e saj dhe publikun e gjerë se greva në vijim e kontrollorëve të trafikut ajror (ATC) në Francë, e cila është jashtë kontrollit tonë, po shkakton ndërprerje të operacioneve të fluturimeve në të gjithë territorin francez, përfshirë fluturimet që kalojnë nëpër hapësirën ajrore të Francës dhe ato drejt dhe nga vendet fqinje. Kjo grevë kombëtare ka çuar në mbingarkesë të madhe në hapësirën ajrore evropiane, duke rezultuar në vonesa dhe, në disa raste, anulime të pashmangshme të fluturimeve për disa linja ajrore evropiane, përfshirë edhe Wizz Air. Për pasojë, ju lutemi për mirëkuptim dhe durim gjatë kësaj periudhe, pasi këto ndërprerje janë rezultat i një veprimi industrial jashtë kontrollit tonë.
Pavarësisht këtyre sfidave, Wizz Air mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj zotimit të saj “Klienti vjen i Pari”. Linja ajrore po bën çdo përpjekje të mundshme për të ruajtur itineraret e saj dhe për të shmangur anulimet, duke i dhënë përparësi operimit të fluturimeve, edhe nëse ato janë të vonuara. Ekipet tona të operacioneve dhe shërbimit ndaj klientit janë duke punuar pa ndërprerje për të minimizuar ndikimin tek pasagjerët tanë.
Në rastet kur anulimet janë të pashmangshme, Wizz Air ofron mbështetje të menjëhershme për pasagjerët e prekur, duke i ofruar fluturime alternative ose duke siguruar rimbursime të shpejta. Ne e vlerësojmë mirëkuptimin dhe durimin e pasagjerëve tanë gjatë kësaj periudhe shqetësuese, e cila është jashtë kontrollit të linjës ajrore.
Në Wizz Air, shpresojmë sinqerisht që të ketë një dialog konstruktiv midis palëve të interesuara në Francë për të rikthyer operacionet normale në hapësirën ajrore evropiane, e cila tashmë është nën presion të madh gjatë sezonit të ngarkuar të udhëtimeve, pa këto ndërprerje shtesë. Edhe pse kjo është një çështje kombëtare, ajo ndikon miliona pasagjerë në të gjithë Evropën dhe për këtë arsye duhet të shqyrtohet nga Komisioni Evropian.
Ne do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën nga afër dhe do të ofrojmë përditësime në kohë reale përmes kanaleve tona zyrtare. Pasagjerët inkurajohen të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre në faqen zyrtare të Wizz Air ose në aplikacionin celular përpara se të nisen drejt aeroportit.”
