Mali i Zi ndjek shembullin e Shqipërisë, duke forcuar lidhjet me Hungarinë përmes disa marrëveshjeve të rëndësishme. Marrëveshjet u firmosën gjatë vizitës së fundit në Budapest të Kryeministrit Spajiç.
Bëhet fjalë për një marrëveshje kyçe për bashkëpunim në Fushën e Zhvillimit të Infrastrukturës, e cila hap rrugën për zbatimin e projekteve kryesore infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e një autostrade dhe modernizimin e hekurudhës.
Propozimi për këtë marrëveshje u miratua nga Qeveria malazeze pak ditë më parë.
“Marrëveshja parashikon projekte specifike infrastrukturore me rëndësi strategjike, si zhvillimi i hekurudhës dhe i autostradës. Kompanitë hungareze do të përfshihen si kontraktorë dhe operatorë kryesorë, me një regjim të veçantë që lejon angazhimin e tyre të drejtpërdrejtë pa nevojën për prokurim publik, në përputhje me legjislacionin kombëtar të Malit të Zi. Gjithashtu, këto projekte klasifikohen si investime me rëndësi të veçantë për ekonomitë kombëtare të të dyja vendeve,” thuhet në marrëveshje.
Marrëveshje pesëvjeçare
Më tej thuhet se kjo marrëveshje respekton plotësisht detyrimet e Hungarisë si anëtare e BE-së, si dhe kuadrin ligjor të Malit të Zi në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, duke siguruar që zbatimi i projekteve të përbashkëta të jetë në përputhje me standardet ligjore evropiane.
Marrëveshja do të zgjasë pesë vjet, përveç rasteve kur anulohet më herët me njoftim me shkrim; pas njoftimit, ajo do të pushojë së qeni në fuqi pas gjashtë muajsh.
Parashikohet që qeveria hungareze të shqyrtojë mundësinë e përfshirjes financiare në ndërtimin e autostradës dhe modernizimin e hekurudhës, përmes marrëveshjeve të veçanta, si dhe të propozojë kompanitë e saj që do të veprojnë si kontraktorë strategjikë me të cilët Mali i Zi do të lidhë marrëveshje bashkëpunimi.
Qeveria miratoi gjithashtu një propozim për të negociuar dhe nënshkruar një Marrëveshje për Bashkëpunim në Fushën e Telekomunikacionit, Teknologjisë së Informacionit dhe Zhvillimit të Rendit me Hungarinë.
“Mbi bazën e analizës së përbashkët të prioriteteve të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve, të dy palët kanë identifikuar projekte specifike me rëndësi strategjike për realizimin e objektivave të kësaj marrëveshjeje, përkatësisht ndërtimin e një Qendre Shtetërore të të Dhënave për nevojat e Qeverisë së Malit të Zi dhe ngritjen e një rrjeti telekomunikacioni me kapacitet të lartë me fibra optike, që do të lidhë institucionet shtetërore përmes korridoreve të infrastrukturës shtetërore, përjashtuar infrastrukturën që do të përdoret për Ministrinë e Brendshme dhe sektorin e sigurisë, e cila do të zbatohet në përputhje me standardet e NATO-s,” thuhet në marrëveshje, ku përcaktohet se Qeveria e Hungarisë do të propozojë kompaninë që do të jetë kontraktori kryesor, me të cilën Mali i Zi do të nënshkruajë një marrëveshje të veçantë dhe një kontratë të posaçme financimi.
Pritet që grupi hungarez i telekomunikacionit 4iG të përfshihet direkt në këtë projekt madhor.
Gjithashtu, një projekt tjetër është zhvillimi i teknologjisë për rendin dhe përmirësimi i sistemit elektronik të administratës publike, ku gjithashtu do të përfshihen kompani hungareze përmes marrëveshjeve të veçanta. Të gjitha këto marrëveshje për t’u implementuar do të kërkojnë financim, i cili është i garantuar përmes grupit bankar OTP, i pranishëm edhe në Mal të Zi.
Spajić deklaroi për mediat se marrëveshjet në fushat e infrastrukturës dhe telekomunikacionit shënojnë fillimin e bashkëpunimit më intensiv ndonjëherë me Budapestin, duke krijuar kushte për zbatimin e projekteve me rëndësi strategjike. /ekofin.al
