Senati i kontrolluar nga republikanët miratoi me një diferencë të ngushtë paketën gjithëpërfshirëse të politikave të brendshme të Presidentit Donald Trump të martën, duke e çuar një hap më pranë firmosjes nga vetë ai.
Votimi përfundoi me rezultatin 51-50, ku zëvendëspresidenti JD Vance prishi barazimin pasi tre republikanë iu bashkuan të gjithë demokratëve në kundërshtimin e projektligjit.
Vendimi pasoi një seancë maratonë gjatë natës që zgjati mbi 24 orë, gjatë së cilës senatorët votuan për dhjetëra ndryshime të propozuara në projektligj, ndërsa drejtuesit e republikanëve zvarritën votimet ndërkohë që punuan me ngut për të bindur senatorët hezitues. Ata arritën në fund të siguronin votat e mjaftueshme falë një amendamenti gjithëpërfshirës që u miratua gjithashtu me 51 vota pro dhe 50 kundër.
Senatorja Lisa Murkowski, republikane nga Alaska, e cila kishte shprehur shqetësime gjatë gjithë procesit për shkurtimet në programet e ndihmës sociale, ishte një votë kyçe që udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune nga Dakota e Jugut, duhej ta fitonte.
“Kam pasur shumë dilema për ndikimin te më të pambrojturit në këtë vend, kur sheh tek Medicaid dhe SNAP,” tha Murkowski për gazetarët pas votimit, duke shtuar se nuk mori “gjithçka” që donte, por “duhej të peshoja gjithçka në tërësi.”
Kundër projektligjit përfundimtar votuan, përveç 47 demokratëve, edhe tre senatorë republikanë: Rand Paul nga Kentucky, Thom Tillis nga Karolina e Veriut dhe Susan Collins nga Maine. Paul kundërshtoi projektligjin sepse do të shtonte triliona dollarë në deficitin buxhetor, ndërsa Tillis dhe Collins shprehën shqetësim se shkurtimet në Medicaid ishin shumë të thella.
“Vështirësitë e mia me këtë projektligj shkojnë përtej asaj që mund të rregullohet,” tha Collins pasi votoi kundër.
Votimi i së martës e vendos Trump shumë pranë një fitoreje të madhe legjislative dhe i jep senatorit John Thune fitoren më të rëndësishme në gjashtë muajt e parë të drejtimit si udhëheqës i shumicës.
E quajtur nga Trump si “ligji i madh dhe i bukur,” legjislacioni i rishikuar kthehet tani në Dhomën e Përfaqësuesve, ku Kryetari Mike Johnson nga Luiziana duhet të lëvizë shpejt për ta kaluar para afatit të vendosur nga Trump, më 4 Korrik.
“Dhoma do të punojë me shpejtësi për të miratuar “Ligjin e Madh dhe të Bukur” që zbaton plotësisht agjendën ‘America First’ të Presidentit Trump përpara 4 Korrikut,” thuhej në deklaratën e përbashkët të Johnson-it dhe ekipit të tij të udhëheqjes.
Megjithëse votoi për projektligjin, Murkowski tha se shpreson që Dhoma e Përfaqësuesve të bëjë ndryshime në të.
Projektligji prej afërsisht disa trilionë dollarësh do të sillte ulje të taksave dhe rritje të fondeve për sigurinë kombëtare, të paguara pjesërisht nga shkurtimi më i madh në rrjetin federal të sigurisë në dekada./Përshtati nga NBC News, ekofin.al
