Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hedhur në konsultim publik projektligjin për disa ndryshime në ligjin e sektorit të energjisë.
Projektligji synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me atë të BE-së, duke krijuar një kuadër ligjor që mbështet prodhimin e decentralizuar të energjisë, përdorimin e burimeve të rinovueshme, inovacionin teknologjik dhe ruajtjen e çmimeve të përballueshme për klientët në nevojë, thuhet në relacion.
Përcaktimi i kësaj kategorie do të përfshijë elemente të reja të statusit të klientëve në nevojë ku, përveç të ardhurave të ulëta, do të merren parasysh edhe numri i familjeve në varfëri energjetike, mosha e klientit, si dhe çdo kriter tjetër që miratohet nga Këshilli i Ministrave.
Në projektligj parashikohet që klientët në nevojë të përfitojnë furnizim me energji me çmime të rregulluara, bazuar në parime si transparenca, proporcionaliteti dhe verifikueshmëria. Kjo bën të mundur mbrojtjen e tyre sociale dhe ekonomike nga luhatjet e tregut.
Për këtë qëllim, Ministria përgjegjëse për çështjet sociale, në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë, të Financave dhe me ERE-n, do të hartojë kritere të detajuara që do të miratohen nga Këshilli i Ministrave. Këto do të përfshijnë të dhëna mbi të ardhurat, nivelin e konsumit dhe efikasitetin energjetik të banesave. Është parashikuar që mbështetja për klientët në nevojë të mos pengojë hapjen e tregut dhe funksionimin e tij. Ministria do të raportojë tek Sekretariati i Komunitetit të Energjisë çdo masë mbrojtjeje të ndërmarrë për këtë kategori klientësh.
Ligji i ri për sektorin e energjisë elektrike synon të fuqizojë konsumatorët duke i përfshirë ata si klientë aktivë në prodhimin dhe depozitimin e energjisë. Konsumatorët fundorë që kualifikohen si të tillë do të kenë të drejtë të vetëprodhojnë deri në 500 kW pa barriera administrative apo tarifore të padrejta.
Gjithashtu, ofrohet mundësia për lidhjen e kontratave dinamike të çmimit, të cilat pasqyrojnë ndryshimet në çmimet e tregut të energjisë në kohë reale. Furnizuesit e mëdhenj dhe ata me detyrim shërbimi universal do të jenë të detyruar t’u ofrojnë këto kontrata konsumatorëve që disponojnë matës inteligjentë, duke mundësuar kështu pjesëmarrjen më aktive dhe të ndërgjegjshme në treg.
Po kështu, çdo konsumator fundor që ka matës inteligjent ka të drejtë të lidhë kontratë me çmim dinamik të energjisë, por vetëm pasi të jetë informuar plotësisht për kostot, mundësitë dhe rreziqet. Ky është një hap përpara për fuqizimin e konsumatorit, por gjithashtu parashikohen mbrojtje ndaj praktikave të mundshme abuzive në këto kontrata.
Ligji garanton të drejtën e çdo konsumatori për të ndërruar furnizuesin në mënyrë jodiskriminuese dhe brenda një periudhe shumë të shkurtër (deri në 24 orë për disa kategori klientësh deri në vitin 2031), përfshirë skemat kolektive të ndërrimit. Kjo synon të ulë barrierat për hyrjen në treg të furnitorëve të rinj dhe të forcojë pozitat e konsumatorëve.
Projektligji ka gjithashtu një qëllim ambicioz që pjesa e energjisë nga burimet e rinovueshme në konsumin final bruto të energjisë elektrike të jetë të paktën 50%./ekofin.al
