Rritja e tensioneve gjeopolitike dhe përshkallëzimi i konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme kanë nxitur një rritje të ndjeshme të buxheteve ushtarake në shkallë globale gjatë vitit 2025. Shtetet e Bashkuara vijojnë të kryesojnë listën si shpenzuesi më i madh ushtarak në botë, ndërkohë që vende të tjera si Kina, Rusia, Gjermania dhe Arabia Saudite kanë shtuar ndjeshëm investimet në mbrojtje. Nga Evropa në Indo-Paqësor, kjo tendencë e riarmatimit pasqyron një përparësi të re strategjike: forcimin e kapaciteteve mbrojtëse përballë rreziqeve të reja të sigurisë globale.
15 shpenzuesit më të mëdhenj ushtarakë sipas vendit
Kërkesa e propozuar për buxhetin ushtarak të SHBA-së arrin në 962 miliardë dollarë — më shumë se 10 vendet e radhës së bashku. Edhe pse kjo është më pak se 1 trilion dollarë, shifra fillestare e planifikuar nga ish-presidenti Donald Trump, mund të bëhen alokime shtesë përmes ligjeve të veçanta.
Pothuajse 40% e buxhetit ushtarak amerikan shkon për pagat dhe kostot e kujdesit shëndetësor, ndërsa prioritetet e prokurimeve tani theksojnë raketat me rreze të gjatë, sistemet pa ekuipazh dhe ndërtimin e nëndetëseve në vend të avionëve luftarakë tradicionalë.
Kjo shifër e madhe ruan aftësinë e SHBA-së për të projektuar forcën njëkohësisht në Evropë dhe Indo-Paqësor, por ka rindezur debatin për qëndrueshmërinë fiskale brenda vendit.
Rekorde të reja në shpenzimet për mbrojtje në Evropë
Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur ciklin më të shpejtë të riarmatimit evropian në dekada.
Buxheti total i Gjermanisë për vitin 2025, përfshirë fondin e posaçëm për modernizim, arrin në rreth 100 miliardë euro (109 miliardë dollarë), ndërsa Mbretëria e Bashkuar kalon shifrën prej 64 miliardë paundësh (81 miliardë dollarë).
Polonia, me 35 miliardë dollarë, shpenzon 4% të PBB-së së saj për mbrojtje — përqindja më e lartë në NATO — dhe ka porositur qindra tanke dhe sisteme raketore HIMARS. Këto rritje kanë bërë që Evropa të kalojë Azinë Lindore si rajoni i dytë me më shumë shpenzime që nga Lufta e Ftohtë.
Kohët e fundit, vendet e NATO-s janë dakordësuar të arrijnë një objektiv prej 5% të PBB-së për shpenzime ushtarake deri në vitin 2035, gjë që do të krijojë presion të madh mbi buxhetet e tyre nëse nuk rriten ndjeshëm të ardhurat.
Riarmatimi në Lindjen e Mesme dhe Indo-Paqësor
Arabia Saudite (78 miliardë dollarë) dhe Izraeli (37 miliardë dollarë) kanë zgjeruar prokurimet për sistemet e mbrojtjes ajrore dhe goditjet precize në mes të tensioneve të rritura në rajon.
Në Indo-Paqësor, rritja buxhetore prej 7.2% e Kinës ndjek ritmin e rritjes ekonomike, ndërsa Japonia (55 miliardë dollarë) dhe Australia (34 miliardë dollarë) përshpejtojnë programet për raketa me rreze të gjatë dhe ndërtimin e nëndetëseve, për të kundërshtuar agresivitetin detar të Pekinit.
India, tashmë në vendin e pestë për shpenzimet ushtarake me 79 miliardë dollarë, synon të alokojë një të tretën e buxhetit kapital për sistemet e prodhuara brenda vendit përmes nismës “Make in India”./Përshtati nga Visual Capitalist, ekofin.al

