Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë shfaqin një rritje të aktivitetit kreditues përgjatë vitit 2024.
Kredia u rrit me 94.6 miliardë lekësh, ose rreth 12.8% më shumë vitin e kaluar. Rritja më e madhe evidentohet në tremujorin e dytë me 32.2 mld lekë ose 4.24%, dhe në tremujorin e katërt me 22.1 mld lekë ose 2.73% . Ndërsa sa i përket rritjes mujore, në muajt mars dhe gusht 2024 është evidentuar rritja më e madhe e portofolit të kredisë me përkatësisht 14.2 mld lekë ose 1.91% dhe 14.3 mld lekë ose 1.8 %.
Analiza e kredisë sipas llojit të subjektit evidenton një përqendrim më të lartë në sektorin privat, rreth 60.3%, në rënie të lehtë 0.01%, ndërkohë që kreditimet për këtë sektor gjatë vitit 2024 janë rritur me 53.2 miliardë lekë (11.84%). Edhe kredia për individë rezulton në rritje me 39.3 miliardë lekë (14.4%), duke kontribuuar në një rritje të peshës së saj me 0.53%. Kredia dhënë sektorit publik evidenton një rritje me 2.1 miliardë lekë (12.6%).
Rritjen më të lartë gjatë vitit 2024 e shfaq kredia dhënë individëve për “mallra të qëndrueshëm” me 30.9%, pasuar nga kredia dhënë biznesit për “pasuri të paluajtshme” me 20.6%.
Ndërsa, struktura e kredisë sipas afatit ka pasur rënie të peshës së kredive afatmesme dhe rritje të peshës së kredive afatshkurtër dhe afatgjatë. Rritjen më të madhe në vlerë e ka pasur kredia afatgjatë me 37.8 mld lekë ose 16.7%, pasuar nga kredia afatshkurtër me 19.7 mld lekë ose 13.8%.
Portofoli i kredive sipas monedhës, për vitin 2024, evidenton se kredia në Lek ka peshën më të madhe në totalin e kredisë me 54.7%, me një rritje me 1%. Ndërkohë që pesha e portofolit të kredisë në valutë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, evidenton një rënie krahasuar me vitin 2023 me 1 %.
Gjatë vitit 2024, pesha e kredisë në valutë, e klasifikuar si e pambrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, ndaj totalit të portofolit në valutë, në krahasim me vitin paraardhës, ka shfaqur një rënie me 2.05%, duke arritur në nivelin 23.55%.
Struktura e kredisë sipas sektorëve të ekonomisë, për vitin 2024, evidenton kreditim më madh të bizneseve kundrejt individëve. Sektorët më të kredituar të ekonomisë vazhdojnë të mbeten “Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave” me një peshë prej 30.0 % të portofolit, pasuar nga sektori i “Ndërtimit” me një peshë prej 16.6% dhe sektori i “Industrisë përpunuese” me një peshë prej 12.2%.

