Akti Normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2025 është depozituar në Kuvend dhe pritet shqyrtimi i tij në seancë me ndryshimet që publikoi për herë të parë Ekofin.al përpara miratimit të tyre një javë më parë.
Sipas relacionit shoqërues, rishikimi i buxhetit me akt normativ parashikon në total 11.8 miliardë lekë që rialokohen, të pashpenzuara deri tani nga ministritë/institucionet, drejt prioriteteve të reja, kryesisht në fushën e sigurisë kibernetike (3 miliardë lekë) dhe projekteve të zhvillimit infrastrukturor, si dhe miratimin e një skeme të re garancie sovrane për sektorin e bujqësisë, për një vlerë rreth 3 miliardë lekë.
Ndër alokimet shtesë më kryesore, veçohen:
-AKSK – rreth 3.3 mld lekë shtesë për produkte teknologjike IA për sigurinë kibernetike;
– Fondi Shqiptar i Zhvillimit – rreth 1.5 mld lekë shtesë për projekte të reja zhvillimi;
– Ministria e Arsimit dhe Sportit – rreth 318 mln lekë shtesë për programin e sportit, nga të cilat: 298 mln lekë për projektin e KOKSHit ‘Ekipet sportive në shkolla’ dhe 10 mln lekë për shahun, pjesë e të njëjtit projekt, ndërkohë që 10 mln lekë shkojnë për mbështetjen e Federatës Sportive të Skive për Lojërat Olimpike Milano Cortina 2025;
-Ministria e Drejtësisë – rreth 142 mln lekë shtesë për detyrimin e rikonstruksionit të godinës së Institutit të Mjekësisë Ligjore;
– Ministria e Financave – rreth 103 mln lekë shtesë për pagesat e kuotave ndaj IBRD-së, IFC-së dhe AIF-së;
– Ministria e Brendshme – rreth 67 mln lekë për nevoja page të Gjendjes Civile dhe 14.2 mln lekë për 22 punonjës shtesë të AAPSK-së;
– Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – rreth 64 mln lekë shtesë për blerjen e pajisjeve mjekësore për strukturat spitalore në vend;
– Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare – rreth 92 mln lekë shtesë për rikonstruksionin e Vilës Qeveritare në Dajt;
– Inspektorati Qendror – rreth 70 mln lekë për 77 punonjësit shtesë sipas strukturës së re në proces miratimi.
Ndërkohë, rishpërndarje fondesh me efekt neutral ka pasur:
– Ministria e Mbrojtjes, në masën 1.27mld lekë, nga zërat e shpenzimeve kapitale drejt atyre korente, kryesisht për mbulimin e detyrimeve për paga e sigurime;
– Ministria e Arsimit dhe Sportit, në masën 1.05mld lekë mes programeve të veta buxhetore, kryesisht për finacimin e shpenzimeve të personelit të arsimit bazë;
– Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në masën 830mln lekë mes programeve buxhetore, kryesisht për nevoja të FSDKSH-së dhe financim projektesh.
Skema e re e garancisë sovrane për bujqësinë
Po kështu, bazuar në relacion, akti parashikon miratimin e një skeme të re garancie sovrane për sektorin e bujqësisë, për një vlerë rreth 3 miliardë lekë. Konkretisht, në vijim të mbështetjes së sektorit privat dhe lehtësimit të aksesit në financë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hartuar një skemë të re garancie në mbështetje të programit të rifinancimit për bankat tregtare, elementet kryesore të së cilës janë:
– Garanci sovrane e qeverisë me mbështetje për bankat tregtare, duke mbuluar 70% të principalit të kredive, me një fond prej 3 miliardë lekë për sektorin e bujqësisë;
– Kredi preferenciale për SME-të, ku norma e interesit kufizohet në një tavan prej 2% në rastin e kombinimit me produktin e Bankës Qendrore, 3.5% në rastet e tjera dhe kërkesat për kolateral nga bankat duhet të reduktohen me 70%;
– Mbështetje për investime, ku fokusi janë investimet për asetet fizike dhe teknologjike që rrisin kapacitetin prodhues, cilësinë e prodhimit dhe eficiencën operacionale të këtyre subjekteve. /ekofin.al
