Një program i ri vizash në SHBA, i udhëhequr nga Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick — i quajtur “Golden Trump Card” (Karta e Artë Trump) — po tërheq vëmendjen globale, me pothuajse 70,000 njerëz që tashmë kanë shprehur interes për këtë mundësi që ofron leje qëndrimi në këmbim të një investimi prej 5 milionë dollarësh.
Siç raportoi fillimisht Financial Times, nisma premton qëndrim të ligjshëm në SHBA për të huajt e pasur, në këmbim të një kontributi të madh financiar për ekonominë amerikane.
Karta elegante, me ngjyrë ari, që mban fytyrën dhe firmën e Donald Trump, një shqiponjë, Statujën e Lirisë dhe flamurin amerikan, u prezantua javën e kaluar përmes një portali të ri qeveritar: trumpcard.gov. Sipas Lutnick, imazhi i kartës reflekton estetikën dhe preferencat e markës së Presidentit Trump.
Lutnick tha se ideja për skemën u propozua fillimisht nga investitori miliarder dhe donatori i Trump, John Paulson, si një mënyrë kreative për të rritur të ardhurat e SHBA-së dhe për të adresuar borxhin kombëtar prej 36 trilionë dollarësh. Departamenti i Tregtisë beson se nëse shiten 200,000 prej këtyre vizave, ato mund të gjenerojnë deri në 1 trilion dollarë për Thesarin Amerikan.
Karta Trump po paraqitet si një alternativë më luksoze dhe më e zgjeruar në krahasim me programin ekzistues të vizave EB-5, që aktualisht ofron qëndrim me një investim minimal prej rreth 1.8 milionë dollarësh. Në kontrast, Trump Card kërkon një pagesë prej 5 milionë dollarësh dhe synon individë me pasuri të lartë, drejtues korporatash dhe sipërmarrës që kërkojnë një rrugë të ligjshme për të jetuar dhe punuar në SHBA.
Megjithëse interesi është rritur, programi nuk është ende funksional. Disa elementë kyç të politikës mbeten të papërcaktuar — përfshirë strukturën tatimore për mbajtësit e vizës, procedurat e verifikimit dhe përjashtimet e mundshme të vendeve. Sipas burimeve të njohura me çështjen, Departamenti i Tregtisë planifikon të lëshojë “dhjetëra mijëra” karta gjatë verës, por miratimi përfundimtar nga Shtëpia e Bardhë dhe agjencitë e tjera federale është ende në pritje./ Përshtati nga Financial Times, ekofin.al
