Auditi i Ministrisë së Financave ka gjetur një sërë shkeljesh sa i përket regjistrimit të pronës publike, të cilat sjellin më tej dëm financiar në buxhetin e shtetit.
Raporti i Kontrollit i të Brendshëm Finaciar konstaton se gjatë realizimit të 958 angazhimeve të auditimit të brendshëm në vitin 2024, janë evidentuar gjithsej 7,256 gjetje që lidhen me shkelje proceduriale, devijime dhe dobësi në sistemet e administrimit të pronës publike, prokurimeve, pagesave, shpërblimeve, menaxhimit të aseteve, sistemit të tatim-taksave, si dhe në fusha të tjera përkatëse të veprimtarisë së njësive publike.
Nga gjetjet rezulton se mangësitë në regjistrimin e aseteve publike paraqesin një dobësi të rëndësishme që ndikon negativisht në administrimin e pronës shtetërore. Kjo përfshin probleme si mospërputhja e plotësisë, ku asete të munguara nuk regjistrohen, si dhe ekzistenca e aseteve që nuk janë në terren. Gjithashtu, ka pasaktësi në përkatësinë e aseteve, duke mos i alokuar ato saktë sipas njësisë ose funksionit dhe pasaktësi në të dhëna, që e bën të vështirë kontrollin dhe vlerësimin financiar të aseteve. Këto mangësi krijojnë mundësi për keqmenaxhim, abuzim dhe humbje të pronës publike.
Auditimi Financiar në Njësitë e Qeverisjes Vendore, në administrimin e pasurive dhe aktiveve, ka konstatuar mangësi të theksuara në regjistrin e aktiveve të qëndrueshme, dokumentacion e paplotë dhe probleme në kontrollin e inventarit. Po ashtu, janë identifikuar çështje lidhur me transferimin e aseteve, ku nuk janë zbatuar aktet nënligjore në fuqi.
Si rezultat i punës audituese janë evidentuar problematika të ndryshme në hallka të ndryshme të sistemit të kontrollit të brendshëm në njësitë e qeverisjes në nivel qendror dhe vetëqeverisjes vendore, ashtu dhe në agjencitë shtetërore dhe shoqëritë aksionere publike, për të cilat janë dhënë opinionet dhe rekomandimet përkatëse për përmirësimin e funksionimit efektiv të sistemeve të menaxhimit të riskut, kontrollit dhe qeverisjes, me qëllim që objektivat të arrihen dhe fondet publike të përdoren për qëllimin që ato janë buxhetuar, me ekonomi, efiçiencë dhe efektivitet, thekson raporti.
Administrimi i aseteve publike në Shqipëri ka nevojë për reforma strukturore, digjitalizim të plotë, kontroll më të fortë institucional dhe rritje të llogaridhënies. Asetet publike janë pasuri e përbashkët dhe duhen përdorur me përgjegjësi për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve./ekofin.al
