Kompania Procter & Gamble do të shkurtojë deri në 7,000 vende pune, ose afërsisht 6% të fuqisë punëtore globale, gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa përballet me kosto të larta nga tarifat dhe një konsumator gjithnjë e më të shqetësuar për gjendjen ekonomike.
Shkurtimet u njoftuan të enjten gjatë Konferencës Konsumatore të Deutsche Bank në Paris dhe përfaqësojnë rreth 15% të punonjësve që nuk janë të angazhuar në prodhim, tha drejtori financiar i kompanisë, Andre Schulten.
“Ky program ristrukturimi është një hap i rëndësishëm për të siguruar aftësinë tonë për të përmbushur objektivat afatgjata në dy deri tre vitet e ardhshme,” tha Schulten. “Megjithatë, ai nuk e eliminon sfidat afatshkurtra që kemi aktualisht.”
Procter & Gamble, me qendër në Cincinnati, kishte rreth 108,000 punonjës në mbarë botën në qershor 2024.
Këto shkurtimet janë pjesë e një programi më të gjerë ristrukturimi. Kompania do të ndalojë gjithashtu shitjen e disa produkteve në tregje të caktuara, për të cilat do të jepen më shumë detaje në korrik.
Në prill, gjatë një telefonate me investitorët, kompania theksoi se tarifat më të larta amerikane kishin prekur materialet e para dhe paketimin, si dhe disa produkte të gatshme që vijnë nga Kina. Kompania tha se do të shqyrtojë opsionet e furnizimit dhe përmirësimet e produktivitetit për të zbutur ndikimin e tarifave, por nuk përjashton edhe rritjen e çmimeve për disa produkte.
Në të njëjtin muaj, Consumer Brands Association – që përfaqëson kompani të mëdha si Coca-Cola, General Mills dhe vetë Procter & Gamble – paralajmëroi se megjithëse pjesa më e madhe e produkteve prodhohen në SHBA, tarifat kanë filluar të prekin edhe përbërësit kritikë, si celuloza për letrat higjienike apo kanelle, që duhet të importohen për shkak të mungesës në tregun vendas./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
