Raporti i ri, i njohur si Projekti Evropian i Anketës së Shkollës për Alkoolin dhe Drogat e Tjera (ESPAD), përfshiu gati 114,000 nxënës të moshës 15 dhe 16 vjeç në 37 vende evropiane. Ky projekt ka ndjekur për 30 vjet tendencat në përdorimin e drogës, duhanit, konsumit të alkoolit dhe aspekte të tjera të sjelljes së adoleshentëve në Evropë. Ja si paraqiten adoleshentët në vitin 2024.
Cigaret dhe alkooli
Megjithëse shkalla e duhanpirjes ka rënë që nga vitet 1990, analiza zbulon se vajzat para-adoleshente kanë më shumë gjasa të pijnë duhan çdo ditë gjatë viteve të fundit.
Përdorimi i cigareve elektronike vazhdon të rritet me 44% e nxënësve kanë provuar së paku një herë dhe 22% deklarojnë se pinë rregullisht, krahasuar me 14% pesë vite më parë.
Shumica e adoleshentëve deklarojnë se e kanë të lehtë të gjejnë vape, dhe raporti thotë se kjo prirje “ngre shqetësime për përdorimin e dyfishtë të cigareve tradicionale dhe elektronike, dhe pasqyron një ndryshim më të gjerë drejt produkteve alternative me nikotinë”.
Ndërkohë, konsumi i alkoolit është në rënie, si në nivel të përgjithshëm ashtu edhe në formën e pirjes së tepruar (binge drinking) gjatë dy dekadave të fundit.
Megjithatë, pirja e tepërt mbetet problem në disa vende, me normat më të larta në Danimarkë (55%); Gjermani (49%); Austri (48%)
Raporti vëren se adoleshentët po fillojnë të konsumojnë alkool që në moshë më të re. Rreth 3 në 4 nxënës kanë provuar alkool dhe 1 në 3 e kanë marrë pijen e parë në moshën 13 vjeç ose më të vogël.
Përdorimi i drogave të paligjshme
Në vitin 2024, 12% e nxënësve kishin provuar kanabisin – duke e bërë atë drogën më të përdorur në Evropë, megjithëse është niveli më i ulët i regjistruar që nga viti 1995.
Në përgjithësi, djemtë kanë më shumë gjasa të përdorin kanabis, por hendeku mes gjinive po ngushtohet.
Pas kanabisit, kokaina dhe ekstazia (MDMA) janë drogat më të zakonshme, me rreth 2% të nxënësve që i kanë provuar. Pas tyre vijnë LSD-ja, halucinogjenët e tjerë dhe amfetaminat.
Në total, 13% e adoleshentëve kanë provuar drogë të paligjshme të paktën një herë, dhe kjo përhapje ka rënë gradualisht që nga viti 2015.
Megjithatë, ka ndryshime të mëdha midis vendeve: normat variojnë nga 3.9% në Gjeorgji dhe Moldavi, deri në 25% në Lihtenshtajn. Raporti thekson gjithashtu një rritje të përdorimit të barnave me recetë për qëllime jomjekësore me 8.5% e nxënësve kanë provuar qetësues dhe sedativë, 6.9% kanë marrë qetësues dhimbjesh për të arritur gjendje dehjeje.
Videolojërat, rrjetet sociale dhe bixhozi
Katër në pesë adoleshentë luajnë videolojëra të paktën një herë në muaj – por lojërat nuk dominohen më vetëm nga djemtë. Prevalenca e vajzave që luajnë videolojëra është më shumë se trefishuar që nga viti 2015, duke kaluar nga 22% në 71% në vitin 2023.
Ndërkohë vVajzat kanë më shumë gjasa të përdorin rrjetet sociale në mënyrë problematike, Por djemtë kanë shfaqur rritjen më të madhe të përdorimit të dëmshëm të rrjeteve sociale gjatë dekadës së fundit.
Në total, gati gjysma e nxënësve raportuan përdorim problematik të rrjeteve sociale në vitin 2024.
Rreth 1 në 4 adoleshentë kanë luajtur për para gjatë vitit të fundit – përfshirë makinat e fatit, llotaritë, lojërat me letra apo zare, dhe bastet sportive ose me kafshë.
Djemtë janë më të prirur për të luajtur bixhoz se vajzat. Por normat ndryshojnë ndjeshëm mes vendeve, nga 9.5% në Gjeorgji, deri në 45% në Itali.
“Megjithëse shumë shtete evropiane kanë miratuar ligje më të ashpra për lojërat e fatit në vitet e fundit, me theks në mbrojtjen e të miturve, bixhozi në mesin e adoleshentëve evropianë ka mbetur i qëndrueshëm,” – thuhet në raport./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
