Pranë çdo autoriteti publik, i cili ka më shumë se 80 të punësuar, dhe subjekti privat, i cili ka më shumë se 100 të punësuar, ligji për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve detyron caktimin e një njësie përgjegjëse, e cila regjistron, heton administrativisht dhe shqyrton sinjalizimet për korrupsion.
Nga të dhënat statistikore, rezulton se, në total janë ngritur dhe funksionojnë 194 njësi përgjegjëse në sektorin publik dhe 540 njësi përgjegjëse në sektorin privat. Por sinjalizimet e ardhura nga këto struktura për shkelje të ndryshme për vitin 2024 janë thuajse të papërfillshme.
Sipas raportit të ILDKPI-së, nga 182 raporte vjetore nga Njësitë Përgjegjëse nga autoritetet publike dhe nga organizatat private, rezulton se 149 prej tyre i kanë paraqitur raportet brenda afateve ligjore.
Të dhënat tregojnë se janë trajtuar vetëm 2 raste në vitin 2024; më konkretisht 1 rast sinjalizimi dhe kërkesë për mbrojtje nga hakmarrja në Ministrinë e Drejtësisë dhe 1 rast, i cili në përfundim të hetimit administrativ nuk ka rezultuar të jenë kryer shkelje ligjore.
Në lidhje me Njësitë Përgjegjëse pranë sektorit privat, janë marrë dhe administruar 258 raporte sinjalizimi, nga të cilat rezulton se 234 Njësi Përgjegjëse kanë paraqitur raportet brenda afateve ligjore.
Nga analiza e raporteve të paraqitura, konstatohet se në 1 Njësi Përgjegjëse janë sinjalizuar dhe trajtuar raste sinjalizimi, në “Sisal Albania” sh.p.k. Gjatë vitit 2024 raportohet të ketë pasur 10 raste sinjalizimi, nga të cilat, për 3 prej tyre ka përfunduar hetimi administrativ, ndërsa 7 raste janë ende në proces hetimi.
Për sa i përket mekanizmit të jashtëm të raportimit, gjatë vitit raportues, Inspektorati i Lartë ka regjistruar dhe trajtuar në total 6 raste sinjalizimi dhe 2 kërkesa për mbrojtje nga hakmarrja. Po ashtu rezulton se sinjalizimet janë paraqitur ndaj institucioneve publike, si ministri të linjës, institucione të pavarura, bashki dhe universitete, ku objekti i sinjalizimit ka qenë kryesisht për shkelje të procedurave të administrimit të fondeve publike, shkelje të procedurave të rekrutimit apo raste të dyshuara të konflikit të interesave.
Në përfundim të hetimeve administrative, rezultoi se nuk kishin ndodhur akte hakmarrje të kryera nga organizatat, që lidheshin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ndaj sinjalizuesve. /ekofin.al
