Qytetarët shqiptarë që duan të pajisen me letërnjoftim të shpejtë do të paguajnë dyfishin e tarifës. Ndryshimi i vendimit të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe atij të Financave parashikon se kuponi mund të jetë fizik ose elektronik dhe do të kushtojë 3 mijë lekë. Ndaj kësaj vlere nuk aplikohet tvsh. Udhëzimi i mëparshëm parashikonte vetëm aplikimin e shpejtë për pasaportë.
Me zhvillimet e reja dhe dinamikën e tregut të punës, udhëzimi përcakton tashmë edhe aplikimet për mjete identifikimi për ambasadën në vendet Aziatike, ku aplikimi për letërnjoftim kushton 1879 lekë ndërsa për pasaportën 20,883 lekë.
Prej pak kohësh në zyrat e IdentiTek është shkurtuar gjithashtu koha e shërbimit të pajisjes me mjete identifikimi elektronike (3 ditë), duke u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë urgjente për dokumentin e tyre të identifikimit.
Procedura e përshpejtuar është veçanërisht e dobishme për emigrantët, të cilët qëndrojnë për pak ditë në Shqipëri, si edhe për të gjithë ata që kanë nevojë të marrin shpejt kartën e tyre të identitetit, qoftë për arsye personale, profesionale apo administrative.
Aplikimi kryhet në çdo zyrë IdentiTek në të gjithë Shqipërinë. Procedura është e thjeshtë:
- Blini kuponin (me procedurë të përshpejtuar);
- Merrni me vete dokumentin e vjetër ose vetëdeklarimin e humbjes/vjedhjes nga e-Albania;
- Bëni aplikimin në një nga zyrat e IdentiTek;
- Tërhiqni kartën e re po aty ku keni bërë aplikimin.
Ky shërbim është i aksesueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë, duke përfshirë:
- Ata që pajisen për herë të parë me letërnjoftim elektronik;
- Ata që rinovojnë dokumentin e skaduar;
- Ata që kërkojnë zëvendësim për shkak të skadimit, dëmtimit apo humbjes. /ekofin.al
