Tetë vite pas tenderit të uniformave për Policinë e Shtetit, për të cilin janë ende nën hetim një sërë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh në Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, sot është hapur tenderi i ri i uniformave, me fond limit mbi 2.7 miliardë lekë.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur tenderin me procedurë të kufizuar mbi kufirin e lartë monetar, nëpërmjet marrëveshjes kuadër më disa operatorë ekonomik, ku të gjitha kushtët janë të përcaktuar, me një operator për secilin lot.
Objekti i kontratës konsiston në “Blerje dhe shpërndarje uniforma dhe këpucë për Policinë e Shtetit”, procedurë e ndarë me 2 lote.
Loti I: “Blerje dhe shpërndarje uniforma, grada, stema dhe shenja për Policinë e Shtetit”.
Loti II: “Blerje dhe shpërndarje këpucë për Policinë e Shtetit”.
Fondi limit total i marrëveshjes kuadër: “Blerje dhe shpërndarje uniforma dhe këpucë për Policinë e Shtetit”, është 2,724,218,857.45 (dy miliard e shtatëqind e njëzetë e katër milion e dyqind e tetëmbëdhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë dyzet e pesë) lekë pa TVSH.
Vlera e fondit limit total për Lotin I: “Blerje dhe shpërndarje uniforma, grada, stema dhe shenja për Policinë e Shtetit” është 1,962,264,441.82 lekë pa TVSH.
Vlera e fondit limit total për Lotin II: “Blerje dhe shpërndarje këpucë për Policinë e Shtetit” është 761,954,415.63 lekë pa TVSH.
Afati për zbatimin e kontratës është 48 muaj nga data e nënshkrimit të marrëveshjes kuadër.
Referuar sasisë dhe specifikimeve teknike të uiformave të Policisë së Shtetit, ato janë artikuj të cilat nuk gjenden lirisht në treg, por duhet të prodhohen enkas për këtë procedurë prokurimi dhe detyrimisht operatorët ekonomik pjesëmarrës duhet të kenë staf teknik të kualifikuar, thuhet në dokumentet e tenderit.
Po ashtu, dorëzimi i mallit objekt prokurimi te përdoruesi – punonjësi i policisë në çdo strukturë vendore të policisë – deri në çdo komisariat/stacion policie, mbetet detyrë dhe përgjegjësi e Operatorit Ekonomik fitues dhe do të bëhet me mjetet e tij.
Sipas procesverbalit argumentues, Operatori ekonomik duhet të paraqesë: mostrat e artikujve, mostrat e lëndës së parë sipas tabelës; skedat teknike si dhe fletë analizë laboratorike të lëndës së parë, të lëshuara nga një organ i vlerësimit të konformitetit, i akredituar nga organizmi kombëtar i akreditimit ose organizma ndërkombëtarë akreditues, të njohur nga Republika e Shqipërisë.
Mostrat do të paraqiten pranë Autoritetit Kontraktor Operatori i Blerjeve të Përqëndruara sh.a në datën dhe orën e hapjes se tenderit. Thirrja është e hapur deri më 19 maj 2025, ora 11. /ekofin.al
