Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) bëri të ditur se në gjatë tremujorit të parë të këtij viti janë paraqitur për testim mbi kontrollin teknik 60225 mjete.
Sipas DPSHTRR-së, nga këto 87,72% janë automjete 4+1 dhe 8+1. Nga këto 35,8% e testimeve janë kryer në DRSHTRR Tiranë, e cila vijon të mbajë pjesën më të madhe të ngarkesës në rang vendi.
DPSHTRR informon se 17379 ose 29% e totalit të mjeteve janë ngelur dhe refuzuar, duke u dërguar për riparime, shërbime, montim pjesë, etj. Por nuk bëhet e ditur se sa përqind nga mjetet e ngelura herën e parë e kanë kaluar kolaudimin dhe kanë marrë certifikatën pas rikontrollit. Ndërkohë, 1875 mjete me moshë 22-vjeçare janë çregjistruar përgjithmonë, bën me dije DPSHTRR.
Në mënyrë të vazhdueshme, DPSHTRR ka njoftuar për një marzh relativisht të lartë të mjeteve të ngelura në kontrollin teknik. Gjithsesi, pjesa më e madhe e flotës së mjeteve në Shqipëri, bie në fashën e mjeteve të vjetra, mbi 11 vjet dhe për këtë arsye, edhe problemet që japin këto mjete për shkak të vjetësisë janë të mëdha.
