Treguesit e vitit 2024 tregojnë një tendencë në rritje të luftës kundër korrupsionit të funksionarëve publikë.
Pastrimi i parave mbetet një nga skemat më të sofistikuara i ndërthurur me korrupsionin e zyrtarë publikë.
Si funksionon skema?
Në këtë tipologji, zyrtari publik përdor pozitat e tij drejtuese për të favorizuar një shoqëri tregtare, me qëllim përfitimin e fondeve publike të institucionit që ai drejton. Pas përfitimit të paligjshëm, të ardhurat kalojnë një subjekt privat përfitues tek një tjetër subjekt privat, i cili ka lidhje indirekte me zyrtarin publik. Këto fonde më pas investohen në pasuri të paluajtshme.
Pagimi për punë fiktive
Shoqëritë tregtare të ngritura qëllimisht për të përfituar në mënyrë të paligjshme fondet publike, kontrollohen nga zyrtarët publike. Fondet publike, nëpërmjet skemave të pagesave për punime fiktive, nxirren më pas nga sistemi bankar në formën e parave “cash”. Një pjesë tjetër e parave ri-investohet në aktivitetet tregtare të shoqërisë ose në pasuri të paluajtshme, duke e bërë më të vështirë identifikimin e origjinës së paligjshme të parave.
Falsifikimi i dokumenteve
Individë të lidhur me skemën korruptive, përdorin dokumente të falsifikuara për të regjistruar pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme me ndihmën e zyrtarit publik. Pasuria transferohet më pas në pronësi të një përfituesi tjetër. Ky i fundit e shet/tjetërson, duke e fshehur kështu lidhjen direkte midis zyrtarit publik dhe përfitimit të parregullt por dhe duke legalizuar produktet e veprës penale.
Pastrimi i parave përmes kontratave dhe investimeve
Në këto raste përdoret influenca politike për hartimin e ligjeve dhe marrjen e vendimeve për të favorizuar disa shoqëri tregtare/subjekte private të përfitojnë prona dhe fonde publike në shkelje të ligjit. Më pas këto shoqëri tregtare kanë kryer pagesa për interesa të zyrtarëve publikë ose ju kanë dhënë prona të patundshme me çmime të cilat janë nën vlerën e tregut. Të gjitha këto veprime kryhen për të fshehur veprimet korruptive dhe pastruar produktet e veprave penale përmes transaksioneve të ndryshme që fshehin origjinën e tyre./ekofin.al
